E Diel, 1 Nëntor 2026

Pastrim territori dhe sistemim i bimësisë përgjatë aksit Korçë–Pogradec. Rushani-qytetarëve: Mos hidhni mbeturina në akset rrugore

Drejtoria e Rajonit Qendër Lindje vijon punën për mirëmbajtjen dhe pastrimin e akseve rrugore në juglindje të vendit. Aktualisht, ndërhyrjet janë përqendruar në segmentin Petrushë-Grabovicë, në aksin nacional Korçë-Pogradec, ku po kryhen punime për pastrimin e territorit, largimin e mbeturinave dhe sistemimin e bimësisë anës rrugës. Punonjësit e mirëmbajtjes po angazhohen për të garantuar një mjedis më të pastër dhe kushte më të sigurta për qarkullimin e automjeteve, ndërsa bëhet me dije se puna do të vijojë edhe në akse të tjera rrugore të rajonit.

“Momentalisht po punojmë në aksin nacional Korçë-Pogradec. Po përveç pastrimit të mbeturinave përgjatë rrugës, po marrim masa tani për prerjen e shkureve dhe kastritjen e pemëve përgjatë rrugës anësore dhe për sheshpushimet e autobuzave për të patur më shumë shikueshmëri, për të parë më shumë sinjalistikën rrugore. Ka shumë vende që tani është edhe sezoni që fillojnë çelin edhe shkuret edhe barërat e egra, kështu që detyrimisht prerja e tyre është e domosdoshme për fushpamjen e rrugëve”, deklaroi Margel Rushani, përgjegjës sektori, DRQL.

Rushani ndërkohë u bën apel drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve që të kontribuojnë në mbajtjen pastër të mjedisit, duke shmangur hedhjen e mbeturinave përgjatë akseve rrugore. Sipas tij, mirëmbajtja e vazhdueshme e territorit ndikon jo vetëm në estetikën e rrugëve, por edhe në rritjen e sigurisë për përdoruesit e tyre.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›