Peci dëshmon për rastin në Banjskë: Sulm ushtarak i financuar nga Serbia

PRISHTINË, 12 qershor /ATSH/ Edhe të enjten, më 12 qershor, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinës ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarëve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit. Para trupit gjykues sot dëshmoi zyrtari policor, Elez Peci i cili tregoi për momentin e shpërthimit në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në gjykatore edhe sot nën masa të larta të sigurisë u sollën tre të akuzuarit që janë në paraburgim, Bllagoje Spasojevuç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviç.
Zyrtari policor në Zveçan, Elez Peci tregoi se pasi kishin përfunduar patrullimin e zakonshëm rreth orës 02:30 përmes radiolidhjes janë njoftuar nga ekipi i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë se mbi urën e fshatit Banjskë është barrikaduar rruga me dy kamionë.
Me urdhër të rreshterit tashmë të ndjerë, Afrim Bunjaku, vetë rreshteri, së bashku me Elez Pecin, Fahri Shala e Sadat Dushi me veturën të tipit “Toyota” janë nisur për në Banjskë dhe gjatë rrugës në fshatin Jeshevik kishin hasur në një “Golf 3” të kaltër ku pas kontrollit në ulësen e përparme të tij u gjet një antenë e radiolidhjeve të polici, por meqenëse personi i cili ndodhej në veturë nuk ishte i kërkuar nga zyrtarët policorë, vetëm ia kishin marrë të dhënat dhe e kishin vazhduar për në Banjskë.
Teksa pyetje parashtronte prokurori i rastit, Naim Abazi, zyrtari policor i Kosovës, Elez Peci tregoi se disa minuta pasi arritën në Banjskë ndodhi një shpërthim i madh i pasuar me gjuajte me armë të kalibrave të ndryshëm në formë të “hënës”.
Ai tha se nga zyrtari policor i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë, Mirsad Kryeziu e ka kuptuar se rreshteri Afrim Bunjaku është sulmuar.
Meqenëse vetura e ekipit të Njësisë së Ndërhyrjes së nuk ishte ndezur, polici Mirsad Kryeziu kishte vazhduar në drejtim të veturës së zyrtarëve policorë të ardhur nga Zveçani ku e kishte marr veturën dhe ishte afruar afër trupit të rreshterit të ndjerë, Afrim Bunjaku.
Peci ka treguar momente se si e kishin vendosur rreshterin Bunjaku në veturë për të vazhduar drejtë Mitrovicës.
Ky zyrtar policor në gjykatore deklaroi se sulmi terrorist në Banjskë ishte ushtarak dhe i financuar për armatim nga Serbia.
Gjatë dëshmisë së tij, foli edhe për personat si Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviq, duke i përshkruar si figura të kryesore në strukturat paralele në veri të Kosovës.
Koordinuesi i njësive në stacionin policor në Zveçan, Elez Peci thotë se nga sulmi terrorist në Banjskë, që ndodhi në shtator të 2023-ës nuk mori lëndime trupore por shpirtërore, sepse humbi rreshterin e tij, Afrim Bunjakun.
Në këtë seancë pyetje për dëshmitarin e PSRK-së, Elez Peci, pati edhe avokati i të akuzuarit Vladimir Toliq, Millosh Deleviç, por jo edhe mbrojtja e dy të akuzuarve të tjerë.
Ndërsa, pyetje parashtroi edhe kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.
Në sesionin e pasditës në seancën e sotme në rastin “Bansjka” është dëgjuar edhe zyrtari policor, Avni Shala.
Dje është dëgjuar zyrtari policor i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejt, Mirsad Kryeziu i cili tha se ky sulm ka qenë i organizuar ushtarak dhe se edhe armët e përdorur kanë qenë të artilerisë së lehtë dhe të rëndë.
Prokuroria Speciale e Kosovës më njëmbëdhjetë (11) shtator (dymijenjëzetekatër) 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiç dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, raporton KosovaPress.
Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.
42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radoiçiç, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati.
/Kosovapress/