E Diel, 1 Nëntor 2026

Pelegrinë vendas e nga rajoni në manastirin e Shën Joan Vladimirit, familjet e Shijonit hapin dyert për vizitorët

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ I vendosur në perëndim të qytetit të Elbasanit, mes kodrave të gjelbra, fshati Shijon është kthyer prej vitesh në një nga qendrat më të njohura të pelegrinazhit në vend, ku besimtarë dhe vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare mblidhen për të përjetuar një atmosferë të veçantë besimi, reflektimi dhe bashkimi.

Pelegrinazhi i përvitshëm i Shën Joan Vladimirit mes datave 3-4 qershor, është një përvojë shpirtërore që nis që në momentin e mbërritjes në fshat, ku qetësia e natyrës ndërthuret me traditat e trashëguara brez pas brezi. Rrugicat e mbushura me pelegrinë, familje dhe grupe të organizuara krijojnë një panoramë të gjallë, ku secili mbart historinë, lutjen dhe shpresën e tij.

Të moshuar, të rinj, familjarë, fëmijë nga të gjithë trevat shqipfolëse, nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, por edhe nga qytete të tjera të vendit, si Berati, Shkodra e Lezha, ishin këtë vit pjesë e ritualit fetar në manastirin e Shijonit.

Gjatë ceremonisë fetare, mitropoliti i Elbasanit, Hirësia e Tij Andon Andoni, u shpreh se kjo festë vazhdon të bashkojë besimtarë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera të rajonit.

“Çdo vit kësaj feste i bashkohen me shumë besim e shpresë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni. Shembulli i Shën Joan Vladimirit mbetet një mesazh paqeje, dashurie dhe sakrifice, të cilin duhet ta ndjekë mbarë njerëzimi”, u shpreh ai.

Pas meshës së shenjtë, ceremonia vijoi me faljen e besimtarëve pranë lipsanit të Shën Joan Vladimirit, ku pelegrinët u lutën dhe nderuan kujtimin e shenjtorit, duke kërkuar bekim, paqe dhe mbarësi për familjet e tyre.

Festa e Shën Joan Vladimirit, që përkujton martirizimin e shenjtorit në shekullin XI, bashkon çdo vit besimtarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia, duke e kthyer Manastirin e Shën Joan Vladimirit në një qendër të rëndësishme pelegrinazhi dhe harmonie ndërfetare.

Përtej aspektit fetar, Shijoni ofron edhe një mundësi për të njohur më nga afër jetën rurale dhe mikpritjen karakteristike të banorëve të zonës. Familjet vendase hapin dyert për vizitorët, duke ofruar ushqime tradicionale dhe duke ndarë histori që lidhen me të kaluarën e fshatit dhe pelegrinazhin.

Me afrimin e mbrëmjes, një pjesë e pelegrinëve zgjedhin të qëndrojnë për një natë në Shijon. Fjetja në fshat është bërë tashmë pjesë e përvojës së shumë vizitorëve, të cilët dëshirojnë të kalojnë më shumë kohë në këtë ambient të qetë dhe larg ritmit të qytetit.

Banorët e Shijonit e konsiderojnë këtë aktivitet një pjesë të rëndësishme të identitetit të komunitetit.

Sipas tyre, pelegrinazhi jo vetëm që mban gjallë traditat fetare dhe kulturore, por shërben edhe si një urë lidhëse mes brezave dhe njerëzve që vijnë nga zona të ndryshme të Shqipërisë dhe më gjerë.

Pjesë e ceremonisë këtë vit, ishin edhe dy deputetet e Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Evis Kushi dhe Sara Mila.

“Është një moment shumë i bukur për të qenë të gjithë bashkë dhe për të promovuar vlerat kulturore të kësaj zone, jo vetëm ato fetare. Aktivitetet shoqërohen me koncerte dhe programe artistike që i japin festës një dimension të veçantë kulturor”, u shpreh Kushi.

Nga fshati Shijon, deputetja Kushi u bëri ftesë të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e kësaj atmosfere të veçantë.

“Nuk duhet të vijmë këtu vetëm për festën që kremtojmë sot. Shijoni është një destinacion i hapur për shqiptarët gjatë çdo dite të vitit. Është një perlë e natyrës, ende jo tërësisht e zbuluar nga vizitorët, me vlera të mëdha shpirtërore, kulturore dhe natyrore. Ejani në Shijon për të përjetuar një moment bashkimi shpirtëror dhe njerëzor, por edhe për të shijuar bukuritë e kësaj zone të veçantë”, u shprehën deputetet e PS-së.

Mes besimit, traditës dhe mikpritjes, Shijoni mbetet një nga vendet ku njerëzit gjejnë qetësi dhe reflektim.

Nga pelegrinazhi në fshatin Shijon 1 nga 29

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›