E Diel, 1 Nëntor 2026

Peleshi: Ritëm rekord në çeljen e negociatave, i mbyllim deri në 2027-ën

TIRANË, 16 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi vlerësoi sot ritmin rekord të Shqipërisë në procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa u shpreh se objektiv mbetet mbyllja e tyre deri në vitin 2027.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Peleshi prezantoi sfidat parlamentare për Shqipërinë e vitit 2030.

Duke u ndalur te procesi i integrimit, Peleshi u shpreh se gjatë vitit të fundit Shqipëria shënoi rekord me ritmin më të shpejtë të avancimit drejt BE, si nga pikëpamja e hapjes së negociatave ashtu edhe nga përmbushja e detyrimeve teknike dhe institucione.

“Në 17 nëntor përfundoi hapja e negociatave. Tani objektiv mbetet mbyllja e tyre deri në vitin 2027, një objektiv i lehtë të thuhet por i vështirë të realizohet, shumë ambicioz”, u shpreh Peleshi.

Kryetari i Kuvendit u shpreh optimist për realizimin e këtij objektivi, pasi sipas tij, “kjo nuk është një datë e fiksuar nga ne, nuk është një premtim elektoral por një datë e dakordësuar me institucionet e BE-së”.

Peleshi theksoi se parlamenti duhet të jetë modeli për të ngritur standardin etik dhe kulturën parlamentare në niveli e klubit të vendeve ku duam të anëtarësohemi.

Sipas tij, integrimi europian ka qenë fokusi i punimeve të sesionit të kaluar.

“Kemi miratuar ndryshime në ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit që përcaktuan procedurën e përshpejtuar për shqyrtimin e ligjeve për përafrimin e Shqipërisë me legjislacionin e BE-së”, u shpreh Peleshi.

/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›