Pelikani kaçurrel, AOS: 255 individë në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, një ndër habitatet më të rëndësishme të pelikanit kaçurrel, u regjistruan në fillim të javës 255 individë, ose 1,3-1,5% e popullatës botërore.
Specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Fier, në bashkëpunim edhe me ekspertë të Shoqatës Ornitologjike e Shqipërisë (AOS), zhvilluan të hënën Censin Dimëror të pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus) në pikat e paracaktuara në Parkun Kombëtar “Divjakë – Karavasta”.
AOS bën të ditur se “kjo është një ndër shifrat më të larta të regjistruara në Parkun Kombëtar, por jo më e larta. Sot për sot, rekordi mbahet nga 11 dhjetori 2017, kur në Divjakë-Karavasta u regjistruan plot 330 pelikanë kaçurrelë”.
Përtej shifrave dhe rekordeve, pamjet në lagunë ishin më shpresëdhënëse për sezonin e ri të folezimit që pritet të fillojë këtë dimër.
“Shumica e pelikanëve, 199 prej tyre ose 78% e totalit të regjistruar më 25 nëntor 2024, qëndronin në lagunën e Karavastasë. Pjesa më e madhe e pelikanëve, ishin mbledhur pranë kanaleve të komunikimit lagunë-det, duke ofruar një pamje spektakolare të xhepit dhe sqepave plot ngjyra dhe puplave kaçurrele të kokës. Midis tyre qëndronin dhe Adriatiku, Arnisa, Artiri, Godulla dhe Bazhorri, 5 pelikanë kaçurrelë të rinj, të çelur në vitin 2024 dhe të pajisur me gjurmues satelitor. Pasi shëtitën nëpër Shqipëri, Mal të Zi dhe Greqi, të pestë janë kthyer në vendlindje ku duket se po gjejnë ushqim të bollshëm. Sikurse të gjithë pelikanët e tjerë të vrojtuar dje në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, gjatë Numërimit Dimëror të Popullatës Perëndimore të pelikanit kaçurrel”, theksoi AOS.
AOS bën të ditur se “numërimi u shtri në gjithë Shqipërinë perëndimore dhe shifrat e plota si dhe kontribuesit do të raportohen së shpejti”.
Specialistë nga Agjencitë e Zonave të Mbrojtura Shkodër, Vlorë, Lezhë, Durrës, Berat dhe Fier realizuan në terren “Censin dimëror të popullatave perëndimore të pelikanit kaçurrel”.
Pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) është shpend fluturues, folebërës nga familja e pelikanëve. Popullata më e madhe e këtij lloji të pelikanëve gjendet në lagunën e Karavastasë.
1 nga 9/k.s/r.e/a.f/