Peqin, fermeret e ullirt në vështërsi pas zjarrëve, kërkojnë kompesim nga shteti

Në një kohë kur fermerët në vend kanë nisur vjeljen e ullirit, në Peqin kjo periudhë vjen mes dëmeve të mëdha dhe shqetësimit për të ardhmen. Zjarret e rëna gjatë muajve të verës kanë shkatërruar ullishte të tëra, duke u marrë fermerëve jo vetëm prodhimin e këtij sezoni, por edhe pemët për të cilat kanë investuar prej vitesh.
Bilanci i dëmeve është i konsiderueshëm. Nga verifikimet në terren rezulton se janë dëmtuar rreth 8 mijë e 500 rrënjë ulliri, ndërsa 345 fermerë janë prekur nga zjarret. Në këto kushte, ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve shtetërore dhe dëmshpërblim për humbjet e pësuara, pasi rikthimi i aktivitetit pa mbështetje financiare duket i vështirë.
Ndërkohë, Bashkia e Peqinit ka përfunduar evidentimin e dëmeve në gjashtë fshatrat e prekura. Por pavarësisht përfundimit të këtij procesi, autoritetet vendore deklarojnë se nuk kanë kapacitetet financiare për të kompensuar fermerët dhe se nevojitet mbështetja e institucioneve qendrore.
Dëmet nuk janë kufizuar vetëm te ullishtet. Zjarret kanë përfshirë edhe kullotat dhe sipërfaqet me bazë ushqimore për bagëtitë, duke vështirësuar ndjeshëm aktivitetin e blegtorëve dhe ekonominë e familjeve që jetojnë nga bujqësia.
Reklamë
Situata ka dhënë pasoja edhe në industrinë e përpunimit të ullirit. Mungesa e prodhimit në zonat e prekura ka detyruar edhe fabrikat e vajit të ullirit të ndërpresin përkohësisht aktivitetin.
Përballë kësaj situate, fermerët e Peqinit presin një përgjigje konkrete nga shteti, pasi pa mbështetje dhe kompensim, rikuperimi i dëmeve dhe ringritja e ekonomisë së tyre mbeten një sfidë e vështirë.