E Diel, 1 Nëntor 2026

Përballë krizës ekonomike dhe mungesës së energjisë, Kuba liron më shumë se 2000 të burgosur

Qeveria kubane ka njoftuar lirimin e 2,010 të burgosurve, në një nga amnistitë më të mëdha të viteve të fundit. Vendimi është marrë duke u bazuar në sjelljen e mirë të të burgosurve, gjendjen shëndetësore dhe natyrën e akteve të kryera. Në listë përfshihen të rinj, gra, persona mbi 60 vjeç dhe të huaj, por jo ata që kanë kryer krime të rënda si vrasje, sulme seksuale apo krime “kundër autoritetit”.

Ky hap vjen në një kohë kur Kuba po përballet me një krizë të thellë ekonomike dhe energjetike, të përkeqësuar nga presioni i administratës amerikane.

Ndërprerjet e energjisë janë bërë të shpeshta, me dy raste mbarëkombëtare vetëm në mars, duke lënë mbi 10 milionë banorë pa drita. Shkollat kanë pezulluar mësimet, punëtorët janë pushuar për të kursyer energji dhe fluturimet ndërkombëtare janë reduktuar për mungesë karburanti.

Lirime të ngjashme Kuba ka kryer edhe më parë, shpesh si pjesë e marrëveshjeve me palë ndërkombëtare. Në fillim të vitit 2025, pas negociatave me SHBA-në dhe Vatikanin, u liruan 553 të burgosur.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›