Përballja me flakët në Delvinë, nënkryetari i bashkisë në spital për shkak të tymit

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Delvina vijon të jetë në situatë kritike si pasojë e zjarrit të rënë ditët e fundit.
Aktualisht zjarret kanë rrethuar kodrat e qytetit, ndërsa nga ajri po ndërhyhet me dy helikopterë.
Mediet raportuan se nënkryetari i Bashkisë së Delvinës, Filip Xuxi ka përfunduar në spital pas përballjes me flakët në terren. Ai ka shfaqur vështirësi në frymëmarrje për shkak të tymit të rënduar në zonë, që çlirohet nga zjarret e fuqishme.
Në një video të publikuar në medie, nënkryetari i bashkisë së Delvinës po transportohet në spitalin e qytetit për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ministria e Mbrojtjes, njoftoi sot se, ekipet e zjarrfikësve te BMEC (Forcat e Armatosura) kanë arritur të ndalojnë me sukses avancimin e flakëve drejt banesave në Delvinë.
Të shpërndara në pika të ndryshme të qytetit, mjetet zjarrfikëse dhe efektivët vazhdojnë prej disa orësh luftën me zjarrin.
/k.s/j.p/