Përcaktohen rregullat e funksionimit të komisionit disiplinor në Inspektoratin e Përgjithshëm

TIRANË, 16 korrik/ATSH/Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për përcaktimin e rregullave të hollësishme për funksionimin e komisionit disiplinor në Inspektoratin e Përgjithshëm.
Ky vendim u miratua në mbështetje të ligjit “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” dhe me propozimin e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Vendim ka për qëllim të përcaktojë rregullat e hollësishme për funksionimin e komisionit disiplinor në Inspektoratin e Përgjithshëm dhe mënyrën e ushtrimit të përgjegjësive prej tij për organizimin e procedurës disiplinore dhe vendimmarrjen.
“Komision disiplinor”, organi ad hoc, i ngritur në Inspektoratin e Përgjithshëm, do të shqyrtojë dhe trajtojë rastet e shkeljeve disiplinore, të kryera nga kryeinspektorët qendrorë dhe inspektorët e të gjitha pozicioneve në inspektoratet qendrore, strukturat e tjera inspektuese në fushën e zbatimit të ligjit “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, dhe në Inspektoratin e Përgjithshëm.
Komisioni disiplinor shqyrton rastet e shkeljeve të lehta, të rënda dhe shumë të rënda, të kryera nga kryeinspektori qendror dhe nga inspektori në inspektoratet qendrore, në strukturat e tjera inspektuese dhe në Inspektoratin e Përgjithshëm. Komisioni disiplinor ngrihet me urdhër të Inspektorit të Përgjithshëm. Komisioni disiplinor, për inspektorin e të gjitha pozicioneve në inspektoratet qendrore, përbëhet nga 3 (tre) anëtarë dhe ka këtë përbërje: zëvendësinspektorin e Përgjithshëm ose një drejtor drejtorie pranë Inspektoratit të Përgjithshëm, i cili kryeson komisionin; një përgjegjës sektori pranë Inspektoratit të Përgjithshëm; kryeinspektorin qendror ose një përfaqësues të caktuar prej tij në drejtorinë qendrore të inspektoratit qendror, ku inspektori ka emërimin. Deri në përfundimin e procesit të riorganizimit të institucioneve me funksione inspektimi, sipas përcaktimeve në ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, dispozitat e këtij vendimi do të zbatohen edhe për kryeinspektorin dhe inspektorin e inspektoratit shtetëror e të strukturave të tjera përgjegjëse për inspektimin. Për institucionet/strukturat me funksione inspektimi, për të cilat nuk janë parashikuar ndryshime në ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, nuk zbatohen parashikimet e këtij vendimi. Për zbatimin e vendimit ngarkohen ministritë përgjegjëse, Inspektorati i Përgjithshëm, inspektoratet qendrore dhe strukturat e tjera inspektuese. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /k.s//r.e//a.f/