E Diel, 1 Nëntor 2026

Përdhunoi dhe la shtatzënë 12 vjeçaren në Pogradec, merret vendimi për 67 vjeçarin

Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 67-vjeçarin Rushan Selko, i akuzuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një të mitur 12 vjeçe, të dy banues në një fshat të Pogradecit.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë është zhvilluar ditën e sotme, ku organi i akuzës ka kërkuar arrest me burg, kërkesë që është pranuar nga gjykata.

Sipas Prokurorisë, ekzistojnë prova bindëse se 67-vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale me forcë ndaj të miturës, nga e cila ajo ka mbetur shtatzënë.

Burime nga seanca gjyqësore bëjnë me dije se i pandehuri nuk e ka pranuar akuzën, por pavarësisht kësaj, gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg.

Jashtë kamerave, avokati mbrojtës ka refuzuar të prononcohet, duke e cilësuar çështjen si delikate. Ndërkohë, jashtë ambienteve të gjykatës nuk ka pasur të pranishëm familjarë të palëve.

Burime pranë Prokurorisë së Korçës bëjnë me dije se ndaj të miturës janë kryer analizat mjekësore, nga të cilat rezulton se ajo është më shumë se katër muajshe shtatzënë. Përgjigjet e analizave të ADN-së pritet të mbërrijnë nga Tirana brenda rreth dy javësh.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›