E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfaqësuesit e PD-së takim me Schieder: Po mbyllen hapësirat e opozitës në Kuvend

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deputetja dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, si dhe deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, zhvilluan sot një takim me Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e opozitës shprehën shqetësimin e tyre të thellë lidhur me situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke vënë theksin te problematikat serioze që sipas tyre, “po minojnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe standardet demokratike”.

Një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte bllokimi i shqyrtimit të mandatit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Sipas deputetëve të PD-së, kjo çështje po mbahet peng në Këshillin e Mandateve përmes votave të shumicës socialiste, duke penguar rolin kushtetues të Kuvendit dhe duke ndërhyrë në proceset e pavarura të drejtësisë, përfshirë SPAK-un.

Gjithashtu, deputetët raportuan për “mbylljen sistematike të hapësirave për opozitën në Kuvendin e Shqipërisë”. Sipas tyre, “ndërprerja e fjalës së opozitës gjatë seancave plenare është kthyer në praktikë të zakonshme, ndërsa mekanizmat parlamentarë për kontrollin e qeverisë janë dobësuar ndjeshëm ose janë bërë jofunksionalë”.

Në këtë kontekst, përfaqësuesit e PD-së nënvizuan degradimin e rolit të Kuvendit, i cili sipas tyre po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një institucion formal, pa debat real dhe pa respekt për pluralizmin politik.

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder u informua në mënyrë të detajuar mbi këto zhvillime dhe u njoh me shqetësimet e opozitës lidhur me pasojat që këto praktika kanë për procesin e integrimit europian të vendit dhe për standardet demokratike që kërkon Bashkimi Europian.

Ne emër të Partisë Demokratike, deputetët konfirmuan angazhimin për mbrojtjen e demokracisë, funksionimin e institucioneve dhe respektimin e shtetit të së drejtës, si parakushte themelore për rrugën europiane të Shqipërisë.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›