Përfundon takimi mes Zelensky, Starmer, Merz dhe Macron në Londër/ Çfarë dimë deri tani për bisedimet

Ka përfunduar takimi mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit francez Emmanuel Macron në Londër.
Katër liderët e shteteve dhe qeverive dolën nga “Downing Street” pas një bisede të fokusuar në shqyrtimin e negociatave në vijim si pjesë e ndërmjetësimit të Shteteve të Bashkuara për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë mbi konfliktin në Ukrainë.

Asnjëri prej tyre nuk dha deklarata dhe as nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Starmer dhe Zelensky u rikthyen më pas në rezidencën e kryeministrit britanik për bisedime të mëtejshme dypalëshe.
Pas ndalesës në Londër, Zelensky do të fluturojë drejt Brukselit për t’u takuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Ja një përmbledhje e asaj që dimë deri tani mbi bisedimet:
-
Keir Starmer priti Volodymyr Zelensky-n para Downing Street këtë pasdite, ndërsa kryeministri britanik u shpreh se çdo marrëveshje duhet të përfshijë garanci sigurie “të forta” për Ukrainën.
-
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se aleatët e Ukrainës “kanë shumë karta në dorë” përpara bisedimeve për paqe.
-
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu skepticizëm lidhur me “disa nga detajet që po shohim në dokumentet e paraqitura nga ana e SHBA-së”.
-
Më herët, Zelensky deklaroi për gazetarët se uniteti mes Evropës, Ukrainës dhe SHBA-ve është vendimtar në negociatat për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
-
Nga ana tjetër, Presidenti i SHBA, Donald Trump thotë se në negociatat e deritanishme, rusët e kanë pëlqyer plan propozimin e tij për një marrëveshje paqeje në Ukrainë por e kundërta siç tha shihet tek Volodymyr Zelensky, i cili ende nuk ka dhënë pëlqimin e tij.
-
“Po flasim me Putinin dhe udhëheqësit ukrainas, përfshirë Zelenskyn. Duhet të them se jam pak i zhgënjyer që Zelensky nuk e ka lexuar ende propozimin. Mendoj se Rusia është dakord, por nuk jam i sigurt nëse Zelensky është dakord; popullit të tij i pëlqen “, tha Trump.
-
Kremlini këtë të hënë foli me nota pozitive për strategjinë kombëtare të sigurisë së SHBA, i cili sipas zëdhënësit të Putin pëlqehet nga Moska. Strategjia kombëtare e Shteteve të Bashkuara mund të ndryshojë me administratat e ardhshme, por qasja aktuale i pëlqen Rusisë, tha Dmitri Peskov për agjencinë Tass.
-
Deklarata e tij shqetësoi Brukselin. Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa e quajti shqetësues faktin që Moska e pëlqen atë, pasi sa i takon luftës në Ukrainë, parashikimet për një paqe të drejtë nuk ekzistojnë.
-
“Kur Moska deklaron se ndan gjerësisht vizionin e Shteteve të Bashkuara për Evropën, kjo duhet të na bëjë të reflektojmë. Kur lexojmë me kujdes pasazhet mbi Ukrainën, e kuptojmë mirë pse Moska e ndan këtë vizion. Sepse objektivi i kësaj strategjie nuk është paqja. Është thjesht ndërprerja e përplasjes dhe stabilizimi i marrëdhënieve me Rusinë.”, u shpreh Costa.