Përfundon votimi në 26 nga 30 përfaqësitë diplomatike, KQZ jep detaje

PRISHTINË, 6 qershor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e tretë dhe të fundit për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Në këtë konferencë, u bë e ditur se deri në orën 20:00, votimi është përmbyllur në 26 nga 30 përfaqësitë diplomatike.
“Ndërkaq, në orën 01:00 të ditës së diel, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë e tjera, në ShBA dhe Kanada”, thuhet në njoftimin e KQZ-së, përcjell KosovaPress.
Po ashtu, u njoftua se gjatë ditës së votimit jashtë vendit, KQZ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe se procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë pengesë.
KQZ shprehu falënderim për shefat dhe stafin e misioneve diplomatike, si dhe për anëtarët e këshillave të vendvotimeve, për angazhimin e tyre gjatë ditës së votimit.
Sipas të dhënave nga 26 përfaqësitë diplomatike ku është mbyllur votimi, si dhe nga të dhënat deri në orën 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga 27.724 votues të regjistruar, kanë votuar 22.414 votues apo 80,85%.
Sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësitë diplomatike, por gjatë ditëve në vijim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë.
/KosovaPress/