Përgatitja e zgjedhjeve shkon në Kolegj. KQZ cakton partitë që do të kenë anëtarë në komisione. Të hënën vendos Kolegji Zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar përbërjen e anëtarëve të KZAZ-ve për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit.
Sipas vendimit të miratuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, Partisë Socialiste i takojnë tre anëtarë, dy Partisë Demokratike dhe një Partisë së Lirisë.
“Partia Socialiste duhet të propozojë anëtarin e shtatë në KZAZ-të me numër tek, Partia Demokratike në KZAZ-të me numër çift. Sekretari në KZAZ-të me numër tek do t’i përkasë Partisë Demokratike. Ato me numrin çift do t’i përkasin Partisë Socialiste,” deklaroi z. Celibashi.
Ndërkohë janë përcaktuar gjithashtu 46 monitorues, që do të ndjekin dhe raportojnë mbi ecurinë e fushatës.
“Numri 46 është përcaktuar mbi bazën e praktikave të mëparshme të nevojave organizative, dhe të mundësive buxhetore dhe logjistike, duke synuar një mbulim të drejtë dhe proporcional të çdo bashkie ku zhvillohen zgjedhjet,” u shpreh punonjësja e KQZ-së.
Pas dorëheqjes së Tom Doshit, KQZ-ja miratoi edhe dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë për Besnik Brahimin, kandidat i listës shumemërore të Partisë Socialdemokrate në qarkun Shkodër, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Në të njëjtën mbledhje, KQZ-ja miratoi edhe plotësimin e pesë vakancave në këshillat bashkiakë të Belshit, Korçës, Divjakës, Maliqit dhe Elbasanit.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/