Përgatitjet për provimet e maturës, maturantët në ankth. Psikologët: Nxënësit të menaxhojnë emocionet

Kanë mbetur vetëm pak ditë nga provimet e Maturës Shtetërore dhe për maturantët, kjo periudhë shoqërohet me ngarkesë dhe emocione. Mes stresit të provimeve dhe pritshmërive për të ardhmen, Dea Aliaj, maturante e Gjimnazit “Qemal Stafa” në kryeqytet, po bën përgatitjet e fundit.
“Na pret një muaj ku kemi katër provimet e maturës. Është e vështirë, është stresi, janë të gjitha ato ndjesi që të mblidhen. Ne kemi punuar fort, jo vetëm tani, por që në fillim të vitit të tretë të gjimnazit. Kemi bërë shumë përsëritje dhe kemi marrë shumë informacione që të ndihemi plotësisht konfidentë në provimet e maturës. Shpresojmë të bëhet më e mira, thjesht është ai stresi i momentit.
Kemi bërë konsultime. Kam qenë pjesëmarrëse në të gjitha konsultimet sepse normalisht ora e mësimit nuk të jep të gjitha informacionet që duhet të dish për provimin përfundimtar”, tha Dea Aliaj maturante, “Qemal Stafa”.
Teksa provimet afrohen, bashkë me to vjen edhe fundi I një periudhe të mbushur me kujtime të bukura.
“Eksperiencat kanë qenë fantastike, duke filluar nga olimpiadat, trajnimet e ndryshme dhe aktivitetet. Kanë qenë kompeticione që na kanë zhvilluar si njerëz. Mendoj që në kohët ku jetojmë sot, nuk mjafton vetëm të jesh nxënës i dhjetës, por duhet të jesh përtej asaj. Eksperiencat dhe përvojat të stërvisin që të zhvillohesh si individ”, u shpreh maturantja.
Për Dean , emocionet për universitetin janë po aq të forta.
“Të them të drejtën jam e entuziazmuar, pavarësisht çdo stresi. E pres krahëhapur eksperiencën e universitetit, sepse nga çfarë kam dëgjuar, është po aq eksperiencë e bukur sa gjimnazi”, tha Dea Aliaj.
Psikologët apelojnë që maturantët të menaxhojnë emocionet, ndërsa vënë theksin edhe në rolin e prindërve gjatë kësaj periudhe.
“Prindërit duhet të jenë më të kujdesshëm në këshillat që iu japin fëmijëve, të qëndrojnë më pranë tyre dhe të mos bëjnë krahasime. Duhet të monitorojnë nëse kanë ankth, pagjumësi apo probleme me ushqimin, sepse këto janë faktorët kryesorë që shfaqen gjatë sezonit të provimeve”, tha Anthi Gjoka, psikologe.
Ndër këshillat kryesore për ditën e testimit mbeten qetësia, gjumi i mirë dhe fokusi.
“Në radhë të parë nxënësi duhet të jetë i hidratuar, të ketë bërë gjumë të mirë dhe në momentin kur futet në provim të lexojë me kujdes pyetjet, duke vazhduar fillimisht me ato që di më mirë. Prindërit, mësuesit dhe drejtuesit e shkollës duhet të jenë pranë tyre që ta bëjnë sa më të lehtë këtë periudhë”, shtoi psikologia.
Maturantët po hyjnë në javët më vendimtare të vitit të tyre shkollor. Provimi i parë i maturës, ai i gjuhës së huaj, do të zhvillohet të martën me datë 2 Qershor. Provimi nis në orën 10:00 për të përfunduar në 12:30.