E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjashtimi i dy këshilltarëve të PD në Durrës, Noka: Bashkëpunuan me PS

TIRANË, 24 mars /ATSH/ Partia Demokratike ka përjashtuar dy anëtarë të këshillit bashkiak të PD në Durrës, Dritan Burgijan dhe Arlind Boshkun.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka deklaruar se largimi i dy këshilltarëve nga grupi i PD në bashkinë e Durrësit është bërë me kërkesë të degës lokale.

Në një sqarim për opinionin publik, Noka bëri të ditur se kërkesa për përjashtimin e tyre ishte depozituar më herët nga strukturat e PD në Durrës, duke theksuar se vendimi është marrë mbi baza konkrete.

Noka theksoi se, njëri prej këshilltarëve ka punuar për Partinë Socialiste gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025, ndërsa tjetri akuzohet për përfitime personale nga posti dhe bashkëpunim me këtë forcë politike.

Ndërsa ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, i cili zhvilloi disa takime me demokratët, mes tyre edhe në qytetin bregdetar të Durrësit, u shpreh se, dy këshilltarët në Durrës u përjashtuan sepse mbështesin një ide: garën.

“Kjo nuk është forcë. Kjo është frikë. Partia Demokratike nuk është pronë private. Është e demokratëve dhe demokratët nuk përjashtohen! Ata votojnë, ata zgjedhin!”, theksoi Salianji në një reagim.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›