E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbledhja e “Antenave” më të mira të vitit 2009 (2)Nga TemaMAJ Flamuri diskuton për “besnikërinë” e Taçit 30 maj 2009 Flamuri iu hapën telashe dje me “Taçi Oil”. Atij burrit dikush i kishte dërguar një mesazh ku thuhej se për herë të parë ek

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Përmbledhja e “Antenave” më të mira të vitit 2009 (2)Nga TemaMAJ

Flamuri diskuton për “besnikërinë” e Taçit
30 maj 2009

Flamuri iu hapën telashe dje me “Taçi Oil”. Atij burrit dikush i kishte dërguar një mesazh ku thuhej se për herë të parë ekipi i Gramozit kaloi në Superligë, ndërsa Partizani doli prej saj… Ja ç’do të thotë të sponsorizohesh nga “Taçi Oil”… Ai burri ia kishte bërë forward Flamurit. Pastaj e mori në telefon.
- Flamur, tani ky Taçi po na del nga kontrolli. Ka blerë arbitrin e Partizanit dje dhe arbitrin e Bylisit sot. Tani me thënë të drejtën, fajin e ka Armand Duka, por atij s’kam ç’i them tani se është ortak me Frangaj. Tani dhe këtij s’kam ç’i them se është kjo puna e ARMO-s nëpër këmbë, por duhet ta merresh pak me këtë çështje.
- Dakord, merrem. I kam thënë mo ta shoh më nëpër këmbë në fushatë dhe në televizor këto kohë, po s’ke ç’i bën.
- Flamur, si është ajo puna e dokumenteve që janë botuar sot që më 20 nëntor ai s’kishte asnjë lek dhe më 21 ia gjeti të gjitha ai Artan Santo. Flamur, ai Artani është njeri i mirë. Kam pasur gjithmonë respekt për të. Paska bërë një punë shumë të madhe. Si ia ka gjetur 77 milion euro për një ditë.
- E verifikuam doktor, ashtu është, merita e atij Artanit është. Tani punët janë në rregull.
- Flamur me gjyqin ndaj “TemA”-s ç’po bëjnë ata se s’kam folur me Elvanën.
- Gjyqi po ecën mirë. U kemi dhënë avokat avokatët e Delijorgjit. Bënë pak naze në fillim, po u thashë që është çështje simbolike. Duhet ta merrni patjetër. Dhe e morën.
- Shumë mirë Flamur. Unë vërtet kam dhënë urdhër mos të ketë gjyqe, po vetëm për pushtetin. Tani këta zotërinjtë duan të thonë që unë kam gjithë familjen në pushtet. Po nuk është e vërtetë. Se këta nuk e njohin Kodin e Familjes, Flamur. Mbesa nga gruaja nuk është pjesë e familjes. Jo, s’ka lidhje.
- Këtë e dinë të gjithë, tha Flamuri. Po të ishte ashtu, kushedi sa vetë do quhej Familja. Tjetër gjë që ti i respekton më shumë këta mbesat e gruas, se të tuat.
- Flamur, unë i respektoj njësoj. Por ca janë më të zonjat, ca më pak të zonjat. Duhet ta ndjekësh këtë gjyq dhe dua përgjigje çdo ditë. Dëgjo, Artan Santos duhet t’i bësh të fala.
- E takova doktor. Kishte shumë respekt për ty. Si s’e takova një herë, tha. E kam ëndërr. Paskësh bërë dhe libra doktor. Shkruaj kot në kohë të lirë, tha, se në Bankë s’kam ndonjë punë. Se kot më kanë vënë sa për të mbuluar pronarët.
- Flamur, është njeri i mirë. Duket si na e ka zgjidhur këtë hallin e ARMO-s. Tani ky Taçi është pak i papërgjegjshëm, d.m.th se nuk priti as tri muaj dhe i hoqi nga aksionarë ata që futi formalisht. Tani kanë të drejtë njerëzit që thonë se e ka blerë vetëm Taçi, por rëndësi ka që e zgjidhi këtë punë. Tani duhet të paguajë dhe paratë në tatime.
- Doktor, fola me atë të tatimeve dhe janë në hall të madh. Shuma paska shkuar 50 milionë euro me gjithë borxhet që i ka “Albpetrol”-it. Punëtorët e “Albpetrol”-it janë pa rroga dhe ai as po u bën pagesë. U ka hapur një kredi në Fier dhe po u jep rrogat pjesë- pjesë. I bie që veç ARMO-s të ketë marrë pa lek dhe “Albpetrol”-in.
- E di Flamur, por ka qenë gabim që janë ndarë ato. Në kohë të komunizmit kanë qenë bashkë. Dhe s’e kanë pas keq. Më mirë bashkë, Flamur. E nxjerr nga toka dhe deri sa e shet është jotja. Më mirë ka qenë ashtu. Ky Taçi e ka kapur mirë si mekanizëm. Vetëm se duhet ta shesim sa më shpejt dhe atë. Jam i sigurt se e merr dhe me letra ai.
- Kanë bërë protestë këta të tjerët. Dhe atë gjyqin në Kushtetuese për naftën D2 e kanë fituar. Duhet t’i dëmshpërblejmë për atë çështje. Na ka hapë telashe.
- S’kemi ç’i bëjmë, do ta paguajmë. Na ka bë nder Flamur. Ka marr ARMO-s. Pa lek, pa lek, po nuk ishte lehtë. Ishte gërmadhe e madhe. Na ka nderu. Do t’ia paguajmë ato gjoba. Sa shkojnë ato në vit?
- Këta thonë nja gjashtëdhjetë milionë.
- Ashtu, qenkan shumë Flamur, kaq shumë paska fituar ky. Po mua më thanë 10 milionë. Nga studioja ligjore aq më thanë, ai do fitojë 10 milionë, ne do marrim 3 për qind. I paska gënjyer Flamur. Duhet parë ajo punë. Shiko Flamur se mund të na ketë gënjyer dhe në gjëra të tjera dhe s’e ka paguar pjesën tamam.
- Do ta verifikoj doktor. Bile desha të them që po furnizon me naftë dhe gjithë opozitën. Është lidhur dhe me ata prapë tani se mendon të luajë me dy porta.
- Ashtu ë, shikojeni mirë Flamur.

Ndeshjet e “Taçi Oil”, si koncertet e Alimuçës në zgjedhjet e ‘96
12 maj 2009

Flamuri e kaloi ditën dje duke ndarë bileta falas për ndeshjen e Milanit me kombëtaren B, të sajuar me rastin e fushatës. Zonja e atij burrit më në fund vendosi të bëjë një biznes tamam. Duke qenë se zgjedhjet po afrojnë dhe s’ka shumë besim se do jetë sërish pas zgjedhjeve e favorizuar të mbledhë pará për fondacionin e saj, i shkoi mendja te Taçi. Gruaja e Taçit është në bordin e fondacionit të zonjës së atij burrit dhe kështu paratë duket sikur sponsorizohen, por futen në familje. Kjo skemë e kishte mahnitur Flamurin, i cili në fillim besoi vërtet se fondet do t’i shkonin UNICEF-it. Pastaj, pak nga pak u modifikua për fondacionin “Fëmijët Shqiptarë”, derisa më në fund në tribunë bashkë me Taçin doli dhe zonja e atij burrit.
Sidoqoftë, Flamuri u nda i kënaqur. I kishin dhënë 20 bileta për militantët dhe Flamuri ishte goxha i pushtetshëm në protokoll. Në fillim thirri Qukapin dhe i dha 4 copë për kryesinë e Forumit.
- Më jep dhe një për Bogdanin, – i tha ai.
- Po ke katër copë, – i tha Flamuri.
- Këto i kam për Rrahmanin, Shkëlzenin dhe një tjetër që s’ta them dot, – i tha. – T’i japim dhe një Gertit se gjynah.
- Merre dhe një, – i tha Flamuri. – Po më thuaj pak ç’thonë të rinjtë?
- Janë të gëzuar shumë, – tha Qukapi. – Ishin disa nga këta shokët tanë të Forumit mbi 30 vjeç sot te zyra. Iu mbushën sytë me lot. “Po përsëritet viti 1996, – tha një prej tyre. – Të gjitha shenjat janë njësoj. Të kujtohet Vehbi Alimuça që na sillte ato grupet muzikore nga Brazili për koncertet Vizion 2000? Ata që këndonin “kokoxhamboo”. Eh, njësoj më duket. Tani na vjen Milani. Ku u gjet ky Taçi, qenka i madh fare! Hallall atë ARMO-n, hallall të gjitha! Na ka nderuar fushatën”. Kështu thonë shumica, – e mbylli Qukapi.
- Kohë e bukur ka qenë ajo, – tha Flamuri, – më kujtohet. E kam akoma atë fotografinë e Ardit Gjebresë me një fjongo blu të lidhur në ballë, ku shkruhej “Berisha, hero”. Paguante Vehbiu i shkretë, po ky qenka i paparë. Ky paguan gjithçka. Dhe del me fitim thonë, se i rrotullon përsëri lekët në atë mënyrë që del i fituar. I paparë është. Po dhe ai burri ishte i kënaqur shumë. Më tha në telefon: “Flamur, për herë të parë po më shijon futbolli.” Më mori dhe gjatë ndeshjes. Më thoshte: “Pas 5 minutash ka gol” dhe bëhej gol. Ishte e pabesueshme se si i dilte parashikimi. I kishte parashikuar gjithë golat. Madje dhe lojtarët. Ishte i paparë dje. E kam parë shumë të gëzuar.
- Na ka dhënë shumë shanse kjo ndeshja e Milanit. Milani dy herë s’ka qenë kurrë në asnjë vend në kohë kaq të ngjeshur. Hallall e ka ARMO-n ai! Dhe ia bëri mirë atij Bamirit dhe Edi Ramës që nuk i ftoi. Vetëm zonjën e atij burrit. Ashtu e meritojnë ata. Se bëjnë si qytetarë ata, sikur vetëm ata marrin vesh nga futbolli. E çfarë futbolli me Tirana, Dinamo, ne me Milanin, - e mbylli Qukapi.
- Mua po më kujtohet prapë ’96, - tha Flamuri. - Ore janë të gjitha shenjat njësoj, koncertet si të Vehbiut, paratë për koncerte dhe ndeshje lumë, këta të ODIHR po njësoj, kjo Gloveri po e njëjta, që do të na prishë zgjedhjet. Të gjitha njësoj. Vetëm në vend të Alimuçës që është kot në burg i shkreti, është ky Taçi që do t’i zërë vendin më vonë me sa duket. Të gjitha njësoj janë. Vetëm se unë atëherë s’futesha dot brenda godinës së PD, tani jam zot i gjithë gjërave. Shumë e bukur ka qenë ajo kohë. Pale zgjedhjet. Fantastike! Asnjë sherr. Merrje vota sa të doje. Tri herë e ktheva kutinë në Kukës, se dilte njëri në Pukë me më shumë vota se ai yni në Kukës. Ia mbusha tri herë. Askush s’të thoshte gjë. S’kishte zgjedhje më të qeta. Dhe këta plehrat e opozitës ikën që në drekë dhe na lanë rehat.
- Dhe mua më duket kohë e artë, - tha Qukapi. - Rrofsh për këto biletat! Po shkoj t’i marr ata e të shkojmë në tribunë. Se është hap llafi sikur jemi trembur nga kjo dosja e Gërdecit. As e rruajmë hiç, se i kena prishë gjithë provat. Le të lehin kot rrugës ata. S’më kishte shkuar kurrë mendja që do vinte prapë ky viti i artë ‘96. Ky burri i bën të gjitha. Mëshirëploti i dhëntë kohë të na e rikthejë dhe një herë tjetër!

Flamuri, i gëzuar në ditën e lirisë së medies
2 maj 2009

Flamuri nuk ngopej së lexuari deklaratën e atij burrit për lirinë e medies në Shqipëri. Perfekte. Për katër vite asnjë gazetar i dënuar, asnjë presion mbi medien, asnjë shantazh. Ishte hera e parë që ai burri nuk ishte konsultuar me të për deklaratën e shtypit dhe donte ta uronte që e kishte bërë përsëri shumë të mirë. E mori në telefon ta uronte.
- Shumë e mirë ka dalë kjo deklarata, – i tha. – Tani s’kanë gojë të flasin. Se nuk kanë lënë gjë pa shpifur këtë vit.
- Dëgjo Flamur, kjo deklaratë kishte shumë rëndësi. Se kam pas shumë presion nga ndërkombëtarët për këtë çështje. U kisha thënë disa herë. Ata që sulmoj unë, nuk janë gazetarë, por s’më besonin. Ndaj desha me bë deklaratë. Duan me më kujtu Flamur që vjet kam poshtëru funeralin e një botuesi që u vra në aksident. E kanë gabim Flamur. Nuk e kam poshtëru. Por s’mund të rrija pa fol, kur pashë se e varrosën me aq pompozitet. S’mund të heshtja.
- Po të gjithë e dimë që ai s’ishte gazetar, mirë ia bëre, - i tha Flamuri.
- Flamur, kanë dashtë me më akuzu se kam fy Andi Bushatin për emisionin e tij për Gërdecin. Po unë, o zotëri, nuk e konsideroj gazetar atë. Se unë nuk kam gjë personale, se me “Klan”-in shkoj shumë mirë. Po të kisha gjë me gazetarët, unë do fyeja Fevziun apo Frangajn për vërejtjet miqësore që më bëjnë, po s’e kam bërë, se unë s’i shaj gazetarët. Por Andi Bushati, zotëri, nuk është gazetar. Jo, ai është i pagum nga opozita të më implikojë mua dhe familjen time në Gërdec. Jo, unë kam Kodin e Familjes, atë s’mund ta falja kurrë. Se ai tha që unë e dija ç’po bëhej në Gërdec. Po s’i mund ta di unë, o zotëri, ç’po bëhet në Gërdec? Im bir nuk është minoren që ta pyes çdo darkë, ç’po bëni në Gërdec. Është mbi tridhjetë vjeç dhe i martuar, ka punën e tij. Si mund ta pyes unë tim bir çdo natë, si po shkon puna. Jo, se ai Bushati hiqet si gazetar modern e liberal në familje, kurse nga unë kërkon që të më raportojë djali çdo natë. Jo, atë s’ia fal kurrë, se nuk është gazetar. Po të ishte gazetar si të tjerët në “Klan”, natyrisht s’do ta fyeja.
- Shumë mirë ia ke bërë, dhe unë kam mendimin që nuk është gazetar.
- Jo, se ti nuk di, zotëri, se gjithë këta pseudogazetarët janë mobilizu kundër meje. Po unë s’i quaj gazetarë ata. Ajo që drejton “Gazetën Shqiptare”, s’është gazetare. As ata 121 gazetarët që firmosën peticionin kundër meje, s’janë gazetarë. Po të ishin gazetarë, do ta kishte firmos dhe Fevziu me Frangajn, s’e kanë firmosë.
- Shumë mirë ua ke bërë, se dhe unë kam mendimin që s’janë gazetarë.
- Jo, se ti nuk e di që dhe ai i gazetës “TemA” pretendon se është gazetar. Po si mund të jetë gazetar ai mor zotëri, me atë gazetë që ka akuzu familjen time të lidhur me Fazlliçin, me Gërdecin, me Lul Bashën…?! Po ai ka shkelur mbi Kodin e Vdekjes, mbi Kodin e Familjes, mbi gjithë kodet. Çfarë gazetari është ai?! Si thua ti, të ndaloja tim bir unë të pagunte njerëzit t’i digjnin makinën? Kurrë s’mund ta bëja atë. Ka shkelë Kodin e Familjes, meritonte përgjigjen. Dhe ia dha, para shtëpisë ia dogji. Jo, se ka disa rregulla këtu. S’mund të tolerohet Kodi i Familjes. Pastaj duan të më akuzojnë, pse ia bllokova gazetën dhe shtypshkronjën me policë. Po si mund ta lija unë atë të villte vrer për qeverinë dhe përfshirjen e familjes sime në korrupsion? Po pse, presion e quajnë ata këtë? Jo mor zotëri, se kjo është e drejta e qeverisë, të pastrojë vendin nga media që s’respektojnë Kodin e Vdekjes dhe Kodin e Familjes. Jo, s’mund ta toleroj unë atë. Nuk është presion ai. Thjesht deshëm me ia mbyllë gazetën. Nuk mundëm, nuk mundëm. Do provojmë prapë. Këtu jemi. Po një mësim e donte ai. Ka pagu gjithë medien ndërkombëtare me na sha ne. Ka pagu Amnesty International, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, Reporterët pa Kufij, gazeta që nga “New York Times” deri te gazeta në rajon. Ku i gjeti gjithë ato pará? Natyrisht, me korrupsion. Jo, s’mund ta toleronim më atë. Ka nxi imazhin e Shqipërisë. I kemi dhënë përgjigjen e merituar.
- Shumë mirë ua ke bërë, se dhe unë kam mendimin që s’janë gazetarë, – tha Flamuri.
- Jo, se ti nuk e di që unë i du gazetat dhe gazetarët. Kam respekt për të gjithë. Kush ka dashur një gjë, ia kam dhënë. Më kërkoi uzinën një botues gazete, ia dhashë, më kërkuan licencë celulari dy televizione, ua dhashë, më kërkoi Fahriu tenderë rrugësh, ia dhashë, më kërkoi të ndërtonte fabrikën e Gërdecit dhe pastaj t’ia dorëzonte Rrahmanit, ia dhashë, më kërkoi Sandri të prodhonte gjithë reklamat e qeverisë me agjencinë e vëllait të vet, ia dhashë, më kërkoi që t’i shpërndante dhe ai reklamat, ia dhashë, më tha që dua të marr afërsisht 7 milionë euro në vit nga reklamat, ia dhashë, më kërkoi fshat turistik në Lezhë, ia dhashë, më kërkoi t’i legalizoja pesë kate ndërtim pa leje në krah të pallatit tim, ia bëra … çfarë më kanë kërkuar, ua kam bërë. I kam respektu. Ata që nuk meritojnë respekt, natyrisht nuk i quaj gazetarë, gazetarë janë vetëm ata që kam respektu, ata që kam sulmu, e kanë meritu. Nuk janë gazetarë. Ndaj e bëra atë deklaratë Flamur, ta dinë mirë se me kë kanë të bëjnë.
- Shumë mirë ua ke bërë, se dhe unë kam mendimin që s’janë gazetarë, – e mbylli Flamuri.

QERSHOR

Flamuri propozon dekoratë për Gani Bobin
24 qershor 2009

Flamuri më në fund erdhi në humor. Sondazhi i Gani Bobit, edhe pse me probleme, më në fund e shpalli fituese PD. Ai burri me mjekër, nga Kosova, herë pas here donte t’i prishte gëzimin duke thënë që LSI në 5 mandate është shumë afër fitores, por rëndësi ka përfundimi. Mori i gëzuar atë burrin dhe i propozoi që Gani Bobi të dekorohet.
- Me sa di unë, Gani Bobi ka vdekur, – i tha doktori. – Me sa mbaj mend ka vdekur në Tiranë dhe e kanë çuar në Prishtinë dhe ka qenë burrë shumë i nderuar. E meriton ta dekorojmë për veprën e tij.
- Unë them ta dekorojmë për sondazhet, – tha Flamuri.
- Po me sa di unë, ai, sa ka qenë gjallë, s’ka bërë sondazhe, – i tha doktori. – Për sondazhin kemi dhënë paratë, s’kemi pse japim dhe dekorata.
- Po të bëjmë një aktivitet të paktën, – tha Flamuri, – që t’i shprehim mirënjohje.
- Po mirë, atë mund ta bëni. Bëjmë një pasdite festive për Gani Bobin, – tha.
Flamuri nisi përgatitjet. Mori zyrën në Tiranë dhe dha porositë.
- Të bëhet një pasdite tematike për Gani Bobin, të merren këngëtarët më të mirë dhe të sajohet dhe një këngë për kujtimin e Gani Bobit.
Të gjitha porositë ishin të lehta, përveç këngës.
- S’kemi ku gjejmë këngë për Gani Bobin, – i tha ai që ndan lekët e fushatës së PD me Flamurin.
- Ja se lidhem unë me Glorin, – tha Flamuri, se ai njihte mirë këngët popullore.
- Di ndonjë këngë për ndonjë hero me emrin Gani? – e pyeti Flamuri Glorin.
- Di një, – i tha Glori, – po më duket se ishte për një Gani nga Kolonja, po kujdes mos e marrë vesh doktori, se është për Gani Butkën.
- Si është, – tha Flamuri, – se ia heqim mbiemrin, ia bëjmë Bobi?
- Kënga thotë:

Dhe ke dy-tri vjet o Gano
Që bën komitet,
Medet o Gano, medet!

- E bukur qenka! – tha Flamuri. – Si ta modifikojmë për Gani Bobin?
- Po ja ta provojmë një herë, – i tha Glori.

Dhe ke katër vjet o Gano
Që po bën sondazhe
Na trashe Gano, na trashe!

- E bukur, – tha Flamuri, – po është negative. Na duhet një pozitive.
- Ah po, – tha Glori. – T’i ndërrojmë ca rreshta. E bëjmë kështu:

Mbushe katër vjet o Gano
Që po bën sondazhe
I plase armiqtë, i plase!

- Kjo po, – tha Flamuri. – Këtë po lëmë si tekst. Unë them ta bëjmë aktivitetin në Fier, – tha Flamuri, – se Mesila e porositi Sandrin që të bëjë sondazhin për Fierin dhe ta nxjerrë 8 me 7.
- A, mos ma kujto atë Mesilën, – tha Glori, – se më ka mbetur merak.
- Pse, – i tha Flamuri, – ç’të ka bërë?
- Jo mo ç’do më bëjë, – i tha Glori, – po ja, unë kam qenë këshilltar për NATO-n i kryeministrit Berisha dhe u vura i fundit në listë në Vlorë, ajo ka qenë zëdhënëse e Ilir Metës dhe u fut e treta në listë në Fier. U nxitova mo, u nxitova. Të kisha shkuar një herë te Nano e të kthehesha tani te Berisha, do isha i dyti në listë. Pale sikur të më kishte çuar Edi Rama te Fatos Nano, siç ka çuar Edi Rama tek Ilir Meta Mesilën, mund të isha dhe i pari në listë.
- Rri urtë mixhë, mos u merr me këto llafe, – i tha Flamuri, – se s’duhen shtrirë këmbët më shumë se jorgani. ǒkësmet të kesh, u bë kjo punë.

Flamuri merr masa të mbrohet në Kukës
18 qershor 2009

Vrasja e kreut të demokristianëve në Shkodër e trembi Flamurin. Reagimet ishin të egra dhe Flamuri nuk i përballonte dot. Në fillim, sapo e njoftuan për vrasjen, ai i ra shkurt duke u thënë policëve, thoni që i ka shpërthyer makina nga gazi. Dhe ashtu e bënë. Ai burri i tha të lidhej me televizionin e Pekës në Tiranë, dhe e futën që demokristianit i shpërtheu makina, se ishte me gaz. Madje, për ta bërë më të qartë skenën, e bënë sikur makina doli një herë nga rruga dhe meqë u trondit, kishte shpërthyer gazi. Kështu, skena e vrasjes i ngjante më shumë skenës së vrasjes së Trebickës dhe dukej aksident.
Por sa kaloi gjysmë ore erdhi lajmi tjetër. Makina paskësh qenë “Range Rover” me naftë dhe nuk ishte gjë ajo punë e gazit. Këtu ngeli keq. Atëherë Flamuri dhe polici i Shkodrës mbeten pa tekst. Duhej patjetër një version i dytë. Flamuri mendoi të akuzonin viktimën se ishte trafikant. Si i tillë, nuk kishte rëndësi si ishte vrarë, por e rëndësishme ishte që duhej vrarë. Ashtu u bë dhe doli deklarata e dytë. Në vend të vrasësit akuzohej viktima.
Ai burri e mori në telefon për ta përgëzuar.
- Flamur, e ke ba shumë mirë. Ata e meritojnë atë gjuhë. Shiko, makina mund të ketë pak shkëndijë elektrike, nuk i dihet ç’ka pasur, e rëndësishme është që ai nuk ka qenë njeri i mirë. Shiko se këta o zotëri duan të shkelin Kodin e Vdekjes, po unë s’i lejoj. Se i vdekuri nuk përflitet, por këta më detyrojnë ta përflas duke shkelë Kodin e Vdekjes. Jo, se këta duan të thonë që ai është demokristian, por mua nuk më rezulton ashtu, më rezulton i vdekur.
- Mirë e kam bërë unë, – tha Flamuri, – po si i bëhet kur të dalë ekspertiza që ka shpërthyer me eksploziv?
- Flamur, nuk ka rëndësi ekspertiza, rëndësi ka që ne të distancohemi nga njerëzit me probleme. Ne kemi çuar në atë zonë një figurë të pastër, një njeri të devotshëm, Paulinin. Kandidatët tanë nuk mund të krahasohen me ta. Ne kemi Sterkajn, kemi Uldedën, kemi atë tjetrin që bën vetrata, si e ka se ia harrova emrin, njeri shumë i mirë më ka thënë Jozefina. Flamur, ne kemi njerëz të mirë, vërtet nuk janë politikanë, po janë njerëz të mirë, të pastër, të ndershëm, të papërzier me pará dhe punë të pista, gjithë jetën me djersën e ballit kanë jetuar. Ata kanë kandiduar bisha. Ata kanë figura të zeza. Ata nuk i pranon kurrë Shkodra. Ndaj ndodhin dhe këto.
- Dakord, po si do t’ia bëjmë, se po akuzojnë dhe Jozefinën si shkaktare të sherrit? - i tha Flamuri. – I thashë mos u nxito, po ajo s’më dëgjoi.
- Flamur, kjo është strategji e socialistëve. Unë jam nga Tropoja, ata gjakosën Tropojën për shkakun tim. Tani do ta bëjnë me pasuesit e mi. I janë qepur Shkodrës. Meqë Jozefina është nga Shkodra, duan të gjakosin Shkodrën. E kanë strategji… Nuk e pranojmë ne këtë.
- Mos ma bëjnë dhe mua në Kukës, - tha Flamuri, – se dhe mua më quajnë si udhëheqës dhe të dytin pas teje, jo se jam vërtet, po kështu më dinë dhe s’di si ta shmang këtë punë.
- Flamur, të gjithë të dytët jeni, dhe ti, dhe Jozefina, të gjithë. Dhe ata atë duan të bëjnë kudo, po ne nuk do dorëzohemi. Hajt mirupafshim, – i tha.
Pasi u mbyll telefoni, Flamuri ishte bërë akull nga tmerri. Filloi të mendojë gjithë deklaratat e tij, po shyqyr s’kishte folur shumë. Vetëm atë rivalin nga Tropoja kishte fyer një ditë. S’dinte ç’të bënte. Duke u sjellë vërdallë në zyrë, kthehet nga një burrë i vjetër që kishte ardhur t’i qante një hall të vetin.
- Or mixhë, kam një hall, – tha. – Mua më quajnë të dytin pas atij burrit në Tiranë dhe kam hall se na ndodh ndonjë vrasje. Ja, Jozefinës i ndodhi. Dhe ai burri thotë që ata duan ta bëjnë çdo qytet, ku jemi ne të dytët, si Tropojën, pra ta fusin në gjak.
- Hall të madh paske or taj, – i tha plaku. – S’di ç’ka me të thanë, veç mbaj mend në vitet e para të komunizmit që kishim një polic në katund që kishte një hall të tillë. Ditën mburrej që ishte i pari i fshatit, por kthehej në darkë në shtëpi, kalonte përmes një pylli që kishte diversantë e të arratisun, e kishte frikë se e vrisnin. U konsultu me pleq të fshatit ç’duhej të bënte që mos ta merrnin për njeri të rëndësishëm dhe ata e këshilluan që, kur të kalonte në mbrëmje në pyll, të këndonte një këngë me zë të lartë.
- Çfarë kënge or mixhë?
- S’di ç’këngë të duhet ty tani, por ai atëherë këndonte:

“Jam polic lokaliteti,
Më ka vënë me zor pushteti”

E dëgjonin ata diversantët në pyll e thoshin: “Lëre budallanë, se e paskan vënë polic për një copë bukë” e s’e vrisnin. Kur gdhihej të nesërmen, pastaj bëhej sërish trim, në mbrëmje sërish këndonte atë këngën.
- Paska qenë i zgjuar ai o mixhë, po unë i shkreti ç’këngë të këndoj? S’kam as atë Glorin këtu, se atij i jepet për bejte, – tha.
E mori në telefon dhe ia qau hallin.
- Po ç’të të thom unë mo, ç’të këndosh, ku di unë si zbuten ata tuajt. Po futja mo një këngë kot, kur ikën vetë. Thuaj për shembull:

“Emrin kam si Flamurtari
Po nuk jam vërtet i pari”

- Aaa, shumë e bukur, – tha Flamuri, – e gjete. Po në fakt unë kam frikë se më ngatërrojnë me të dytin, se të parin e dinë që është ai burri.
- Po mirë mo shtoji dhe një strofë tjetër, thuaj:

“S’jam Flamuri, jam Feimi,
hallexhi siç më njihni.”

- Aaa kështu po, – tha Flamuri. – Ja ta them të gjithë bashkë:

“Emrin kam si Flamurtari,
Po nuk jam vërtet i pari
S’jam Flamuri, jam Feimi,
hallexhi siç më njihni.”

- Po mirë e ke mo, sa për t’i shpëtuar kësaj valës së parë. Pastaj mos e këndo më, ç’të të thom unë.

Flamuri, incident me “celularët” dhe Bregoviçin në Tropojë
15 qershor 2009

Flamurin dje nuk e mbante vendi. Berisha shkoi në Tropojë, ndenji 24 orë dhe nuk ndodhi asgjë. Kishte 12 vite që e ëndërronte një ditë të tillë. Dje më në fund u bë realitet.
Masat e sigurisë ishin të larta. RENEA kishte zënë gjithë tarracat e pallateve në Tropojë dhe kishin mbyllur gjithë dritaret që shikonin nga sheshi dhe rruga. Forcat speciale kishin bllokuar gjithë rrugët që vijnë nga fshatrat rrotull në Tropojë, sidomos ato që kanë lidhje me Kërnajën. Por surpriza e Flamurit ishte mitingu.
Pak para se të fillonte fjalimin Berisha tentoi të marrë Flamurin në celular. Tentoi një herë, telefoni nuk punonte. E provoi sërish, telefoni nuk punonte. U bë nervoz dhe i kërkoi telefonin rojës së tij. E mori, po sërish nuk punonte.
- Çfarë po ndodh me telefonat? – i tha.
- Nuk e di, – tha roja, – as i imi nuk punon.
Berisha u prish në fytyrë. Hodhi sytë nga bregu përballë të shihte ku ishin antenat e celularëve. I pa, nuk dukej se kish ndodhur gjë. Hodhi sytë nga tarracat e pallateve dhe shikonte njerëz të veshur me kapuç.
- Mos u ka ndodhur gjë antenave? – i tha shoqëruesit.
- S’e di, – tha ai, – të dërgojmë RENEA-n të shikojë.
- Nise shpejt, – i tha, – se ndoshta kanë përgatitur diçka.
Pas pak forcat e RENEA-s raportuan në radio që gjithçka është në rregull, dhe se kanë kapur një njeri tek antenat që ka fikur sinjalin.
- Kush është ai? – pyeti Berisha.
- Thotë që më ka dërguar Flamuri, – tha polici.
Berisha u bë dhe më shumë nervoz.
- Ma sill urgjent Flamurin këtu, – i tha rojës. – Ma gjej ku të jetë!
Roja i bëri me kokë nga pas.
- Ja ku e ke, – i tha.
- Flamur, ç’është kjo punë e celularit, se është e papërgjegjshme domethënë?
- Është masë sigurie, doktor. Fola me këta të forcave speciale, i pyeta: Cila është masa ekstreme me të cilën ruhet një president amerikan kur shkon në zona të rrezikshme? Më thanë: “Fiken antenat e celularëve, pasi terroristët nuk kanë si koordinojnë veprimet”. Dhe unë dërgova njeriun tim aty t’i fikte 20 minuta para mitingut.
- Ashtu? Mirë, por duhet të ma kishe thënë, se na ke prishur shumë punë, dakord, ik tani, ke bërë shumë gabim, mirë, do ta shikojmë… Dëgjo, desha me të pyet, kush e solli atë Bregoviçin në Tiranë? Se ai është antishqiptar dhe këtu duhet me ia thënë dy fjalë atij.
- Edi Rama, me sa di unë, – tha Flamuri.
Pas kësaj Berisha nisi fjalimin. Në fund, kur po mbaronte, e përmendi që, kur tropojasit hapnin dyert për kosovarët, Bregoviçi këndonte për serbët dhe Edi Rama e ka bërë atë Qytetar Nderi të Tiranës…
Pasi mitingu mbaroi dhe Berisha po largohej, antenat u ndezën. Flamurit i erdhën 20 thirrje të dështuara nga Berisha.
E mori sërish në telefon.
- Doktor, po më thonë njerëzit në telefon se ishte pritje madhështore, shumë e mirë.
- Madhështore ishte Flamur, por e ke tepru me fikjen e antenës. TV Klan s’e ka dhënë dot direkt me zë, se s’ka punu telefoni. Kjo është shumë e rëndë Flamur. Herë tjetër mos ta bësh më këtë.
- S’e kanë nga antena, doktor, – i tha Flamuri, – e kanë nga Bregoviçi. Aleksandër Frangaj është mërzitur shumë që ke përmendur Bregoviçin, ndaj nuk e ka dhënë. Më tha: “Ta shpjegoj pastaj”.
Në mbrëmje Berisha ishte në Kukës. Në fund të fjalimit përmendi sërish Bregoviçin dhe sërish Edi Ramën që i ka dhënë çelësin e kryeqytetit.
- Prapë nuk e dha Klani, doktor, – i tha Flamuri, – edhe pse këtu punonte celulari.
- Po si është puna? – pyeti Berisha.
- Puna është se atë Bregoviçin e ka sjell TV Klani në Tiranë dhe jo Edi Rama. Dhe meqë ti nuk e ke pritur, ata ia kanë çuar Edi Ramës që ta respektojnë. Dhe Sandri i është lutur një javë rresht që t’i japë atë çelësin. Tani është mërzitur, se ti e ke përmendur dhe duket sikur TV Klani është me serbët, në të vërtetë ai është me ne.

Plani sekret i Flamurit për të mbyllur skandalin “Pango Biz”
8 qershor 2009

Flamuri u hutua nga lajmet e djeshme. Ai burri e thirri me urgjencë për t’u konsultuar për fushatën.
- Na ka ndodhur një problem te TV “Klan”, – i tha. – Duhet ta mbyllim patjetër.
- Çfarë ka ndodhur? – tha Flamuri i çuditur. – Sandri mirë ishte, kam folur dy herë në telefon deri tani.
- Jo, Sandri mirë, por dikush tjetër aty d.m.th. Ashtu është një problem. Si të ta them, pak a shumë si ajo punë e Pangos. Duhet ta mbulojmë patjetër.
- Kanë kapur dikë në zyrë? – i tha Flamuri.
- Pak a shumë, si të të them, kanë kapur një bisedë, ku ai i tregon partneres si e kanë bërë në zyrë.
Flamuri u skuq deri te veshët. S’e kishte dëgjuar kurrë atë burrin të fliste fjalë të tilla. Ai e pa hutimin e Flamurit dhe u përpoq ta kalonte me humor.
- Po tani, d.m.th., ndodhin këto gjëra, s’ke ç’i bën. Puna është mos na dëmtojë fushatën. E kemi ikonën kryesore të fushatës.
- E kuptova, – tha Flamuri. – Po hajt mo, ai mashkull është. Po ajo femra kush është?
- S’e di, një menaxhere hoteli, s’e kam idenë kush është, d.m.th, po ky na hapur shumë probleme. Se i fola atëherë kur pyeste Pangon. I thashë, mos e persekutoni njeriun për gjëra të tilla. “Jo, – më tha, – ke të drejtë, por e ka provokuar në zyrë. Se në shtëpi, – tha, – ka të drejtë. Po kjo e zyrës nuk i falet.” Na, dhe këtij në zyrë i doli.
- Po ka ndonjë detaj që zbulohet që është ai?
- Ku di unë Flamur ç’të të them, ja lexoje bisedën të zbardhur nga “Facebook Mobile”.
Flamuri e lexonte dhe një fytyrë i vinte, një i ikte. Filloi të psherëtinte me vete. Bënte gjeste mospajtuese. Pastaj i lëshoi fletët mbi tavolinë.
- O o, e paska djallosur fare, – tha. – Po dhe ky shumë i pakujdesshëm. Po sa i fiksuar qenka. I mbaka mend dhe tangat blu. Se ajo tjetra normal i thotë mbaj mend vetëm zyrën tënde.
- Tani Flamur si t’ia bëjmë kësaj pune? Se po shpërtheu, do na prishë punë. Shiko atë do ta sulmojnë, se ai është njeriu ynë kryesor në fushatë. Po mban peshën kryesore, duhet ta mbrojmë. Duhet të prodhojmë një ngjarje tjetër.
- Unë them të heqim atë Bushatin, – tha Flamuri. – Më tha Sandri që ka bërë një emision dokumentar të tmerrshëm për Edi Ramën, për Ilir Metën dhe një për ty. I ka të tre njësoj të poshtër. Po të parin do japë këtë të Ramës sot. Unë them t’i themi Frangajt ta heqë emisionin sot, ai do mërzitet dhe do ikë nga puna. Kështu dhe vëmendjen e tërheqim, se merren me ikjen e tij dhe emisioni yt shpëton.
- Ide e madhe Flamur. Bravo, e gjete. Ja, kjo është. Mirë e ke. Ja se flas unë me Frangajn tani. E gjete mirë shumë Flamur. Na duhej kjo lëvizje. Është në kohën e duhur. Dhe akuzojmë dhe Edi Ramën me këtë rast si censor. Gjetje e madhe Flamur.
Pas kësaj ai burri mori Frangajn në telefon dhe i shpjegoi gjithë situatën.
- E di, e di, – tha, – do ta bëja dhe pa ma thënë ti. Po te kjo arsyeja tjetër s’më kishte vajtur mendja, është vërtet e fortë. Se mund t’ia botojë ndonjëri në gazetë.
- Sidoqoftë, duhen marrë masat Sandër. Bllokoja atij Bushatit një herë dhe ndonjë javë mediet merren me të. Javën e fundit s’besoj se merren me transkripte bisedash erotike, se ndizet fushata. Shiko, i pata thënë atij kur merrej me Pangon, mos e teproni, po “jo, – thoshte, – është e rëndë ajo punë e zyrës.” Ju në zyrë e bëni të gjithë o zotëri, mua më tregoni ju. Lëre tani mos t’i hapim këto muhabete.
- Të drejtë ke. Po s’ka faj mo, se i ka vajtur vetë ajo. Po ishalla s’e hapin këtë muhabet, thuaj. Kjo e Bushatit është rast i mirë. Le të merren me atë Bushatin, s’ke ç’i bën. Çdo palë zgjedhje më ikën nga një. Në të parat më iku Çani, tani ky. S’ke ç’i bën, do ca sakrifica kjo punë.

Flamuri kryqëzohet për dështimin e mitingut në Tiranë
1 qershor 2009

Dje ishte një natë e zezë për Flamurin. Mitingu, i cili duhet të niste në Tiranë në orën 19:00, u shty deri më 19.30 me shpresë mos mbushej sheshi. Por nuk ishte e thënë. Me shumë zor, edhe pse Zajmina Vasjari u torturua duke u zhveshur në shi para militantëve, sheshi nuk po mbushej as deri te shatërvani.
Flamuri i alarmuar e anuloi disa herë nisjen e atij burrit nga Kryeministria. Më në fund ai burri e humbi durimin dhe u nis.
- Flamur, unë po nisem. Duhet me mbajt përgjegjësi për këtë që keni bërë. Unë s’mund t’i lë njerëzit të presin. Mirë… mirupafshim.
Nuk e la as të fliste. Flamuri po dridhej i gjithi, s’dinte ç’të bënte. Filloi t’iu ulërijë deputetëve të rinj që nuk i njihte, me shpresë se do vendoste autoritetin, por asgjë s’ndryshonte. Njerëz nuk vinin që nuk vinin. Hodhi sytë nga turma, pa Santon dhe Elvanën që po qeshnin në qejf të tyre. “Këta e kanë në terezi, – tha, – bëjnë lekë me thasë në pushtetin tonë dhe s’paguajnë as 20 mijë vetë nga Bathorja të vijnë.”
I tërbuar zbriti poshtë ta priste atë burrin në shesh. I doli përpara. Ai burri nuk ia hodhi sytë. Megjithatë Flamuri iu afrua te veshi dhe i tha “të fliste shpejt e të ikte, se s’kishte shumë njerëz nga shiu.”
- Flamur, nuk mbulohet kjo gjë me shiun, po do flasim, mirë, ik tani, se janë kamerat…
I prishur në fytyrë mori fjalën. Sheshi i zbrazët e vrau shumë dhe frymëzimi i iku. Hapësirat e mëdha në mes të sheshit i kujtonin mitingjet e nxituara që bënte në vitet 1998-1999, sa herë që kishte probleme me qeverinë.
Foli 5 minuta dhe e la fjalimin në mes. Hodhi sytë nga ishte Liria. Atë e kishte kapur Mesila Doda, e cila kishte porositur kamerat ta fokusonin në krah të zonjës Berisha. U tërbua më keq dhe me të.
“Kësaj, – tha, – s’i mjafton KKRT, po na merr dhe kohën televizive këtu.”
I bëri me shenjë asaj dhe zbriti poshtë turmës. Flamuri s’dinte ç’të bënte. Ta përcillte apo jo? Dukej qartë që Berishës i kishte ikur truri.
- Flamur, dëgjo, kaq njerëz mo zotëri mua m’i mblidhte Shaban Memia me një njoftim në Radio Kontakt. Ti më ke marrë mijëra euro për postera te Visi dhe spote në TV dhe më ke sjellë më pak njerëz se ç’më binte Shabani, kur merrte njoftim në orën 1 për orën.
- Doktor, po ashtu ndodhi, se ti e di, njerëzit u kënaqën dje nga tuneli dhe thanë se e hape atje fushatën, u krijua si keqkuptim, d.m.th., se ne e kemi hapur disa herë fushatën, unë u thashë në fakt, po këta s’më dëgjuan, u thashë mo ta shoh….
- Flamur, kjo është një gjë e papërgjegjshme d.m.th., s’kam hapë ndonjëherë fushatë më zi unë, këtë s’ta fal kurrë, ky nuk ishte miting, ky ishte surrogat, d.m.th., të mbledhë Gramoz Ruçi në Qytet Studenti dhjetë herë më shumë se unë në sheshin “Skënderbej”, këtë s’ta fal kurrë dhe do mbash përgjegjësi.
Flamurit iu prenë gjunjët. S’dinte ç’të bënte. Ai burri hipi në makinë dhe iku. Flamuri i tërbuar iu turr operatorëve televizivë që transmetonin direkt.
- Ndërprisni transmetimin! – tha. – S’ka transmetim! S’keni të drejtë autori. S’keni punë, i kemi paguar ne paratë. Boll filmuat atë burrin, tani ikni. Mo t’u shoh më këtu!
Kameramanët mezi prisnin të mblidhnin kamerat. Aldo Bumçi, i vetmi që s’kuptonte fare se ç’kishte ndodhur, erdhi dhe iu hodh Flamurit në qafë.
- Shkëlqyer Flamur, e pe sa shumë njerëz?
- Po ç’njerëz mo budalla, – i tha Flamuri. – Ne kaq kemi mbledhur për 2 orë, kur arrestuan Safet Zhulalin, megjithëse nuk e donte asnjë në PD.
- Po pse mo Flamur, e ke gabim, shumë vetë kishte.
- Po për ty që je mësuar të llafosësh vetëm me gjyshen shumë janë o Aldo, po për partinë tonë është ditë e zezë. Po ik, mo të shof para sysh, se akoma po më dridhen gjunjët nga ato që më tha ai burri. Se prej jush na kanë braktisur njerëzit. Shikojnë Mesila Dodën, u kujtohet Ilir Meta, të shohin ty, u kujtohet Zhulali, shikojnë Lul Bashën, u kujtohet VEFA, shikojnë Fatmirin, u kujtohet Gërdeci, dhe pastaj i ha unë të sharat. Ik, mo të të shoh këtu!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›