Përmbyllet cikli 13-javor i pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout, fluks i lartë besimtarësh dhe trafik i rënduar në Laç

Gjatë ditës së martë, qyteti i Laçit ka regjistruar një dyndje të jashtëzakonshme vizitorësh, të cilët i janë drejtuar Kishës së Shna Ndout për të shënuar të martën e fundit të pelegrinazhit tradicional. Mijëra besimtarë nga të gjitha qarqet e vendit janë mbledhur në këtë objekt kulti, duke shkaktuar një ngarkesë të lartë në infrastrukturën lokale.
Përqendrimi masiv i automjeteve dhe këmbësorëve ka sjellë lëvizje të ngadalta dhe trafik të rënduar, veçanërisht në akset hyrëse të qytetit dhe në rrugët lidhëse që të çojnë drejt kodrës ku ndodhet kisha, një situatë që ka kulmuar gjatë orëve të mbrëmjes.
Kjo e martë shënon mbylljen e një cikli 13-javor lutjesh dhe ritetesh fetare, gjatë të cilit besimtarët vizitojnë rregullisht vendin e shenjtë. Sipas traditës, ky kalendar parapërgatitor kulmon me datat zyrtare të festës.
/rtsh.al/