E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përmbyllet rindërtimi në Shijak, strehohen edhe 4 familjet e fundit të prekura nga tërmeti

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Katër familjet e fundit që kishin mbetur të pastreha nga tërmeti i vitit 2019 në Shijak janë sistemuar përfundimisht në banesa të reja, duke shënuar mbylljen e plotë të procesit të rindërtimit në këtë bashki.

Që prej vitit 2021, rreth 1600 familje janë strehuar në shtëpi të reja, ndërsa mbi 3000 familje të tjera kanë përfituar nga rikonstruksioni i banesave të tyre të dëmtuara.

Katër familjet e mbetura jashtë këtij procesi u sistemuan në apartamente të reja të ndërtuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pasi më herët nuk zotëronin truall të mjaftueshëm për zbatimin e projektit.

Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana theksoi se ky hap përmbush zotimin e bërë që askush të mos mbetet pa strehë. Ai nënvizoi se pas rindërtimit nuk qëndron vetëm procesi fizik i ndërtimit të banesave të reja, por një histori rikthimi dinjiteti dhe shprese, ku familjet përfitojnë falas një shtëpi më të madhe dhe më të sigurtë se ajo që kishin më parë.
Mbështetja për familjet në nevojë në Shijak do të vijojë edhe më tej.

Qeveria shqiptare dhe bashkia Shijak e kanë prioritet përfundimin e çdo procedure për familjet që janë të kualifikuara sipas sistemit të pikëzimit dhe vendimeve të Këshillit Bashkiak, në mënyrë që të certifikohen dhe të përfitojnë banesën si të pastreha.

Në kuadër të vizionit për zhvillimin e Shijakut, janë planifikuar një sërë investimesh të reja, si rivitalizimi i lumit Erzen, asfaltimi i rrugëve në çdo fshat, si dhe ndërtimi i aksit nga Ura e Ardhishtes deri në njësinë administrative Gjepalaj. Këto ndërhyrje synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›