Përmbytje nga Erzeni/ Durrës, situatë e rëndë në Sukth, Katund i ri dhe Jube

Prurjet e Erzenit përmbytën fillimisht Katundin e Ri, ndërsa mëngjesin e së premtes harta u zgjerua me Rrashbullin, Sukthin, e Jubën.
Në vetëm këto zona janë evakuuar 842 banorë, strehuar në struktura të posaçme shtetërore dhe pranë të afërmëve të tyre.
Dëmet janë të pallogaritshme ndërsa toka e përmbytur bujqësore mendohet të jetë mbi 2 mijë e 500 hektare.
Banorët flasin me dëshpërim pasi mundi i një jete u ka shkuar dëm.
Për përballimin e prurjeve, hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po punojnë me kapacitet të plotë.
Procesi i vlerësimit do të vijojë për të verifikuar banesat e përmbytura.
Po ashtu, në Durrës janë angazhuar 448 specialistë ku përfshihen punonjës të bashkisë dhe ndërmarrjeve, ujësjellësit, Policisë Bashkiake, OSHEE-së, si edhe 37 efektivë të Forcave të Armatosura.
Bashkia e Durrësit është më e goditura në vend nga përmbytjet e 6 janarit, ku fatkeqësisht u regjistrua edhe një viktimë. Punonjësi I pastrimit humbi jetën për shkak të rrjedhës së ujit. / abcnews.al /