Permbytjet e Vjoses rrezikojne infektimin e ujit
Përmbytjet e një jave më parë nga lumi Vjosë që prekën 10 puset e ujësjellësit të Fierit, kanë shtirë rrezen e tyre të dëmtimit deri në qytet, tek depozitat e komunitetit. Gjithashtu, në rrezik ndodhen edhe rrethinat e Fierit që furnizohen nga ujësjellësi.
Në këtë kohë nevojitet një dezinfektim total i ujësjellësve dhe pastrimi i depozitave e bolierëve në të gjithë komunitetin. Mikrobet dhe bakteret, tashmë pjesë e rrjetit të ujësjellësit, paraqesin rrezik për infektim duke u bërë shkak për ndonjë epidemi të mundshme.
Alarmi vjen nga Inspektorati Epidemiolog në Drejtorinë e Shëndetit Publik të Fierit, burimet zyrtare të të cilit apelojnë popullatën që të pastrojë depozitat dhe bolierët, pasi furnizimi me ujë të ndotur për disa ditë me radhë ka bërë që mikrobet dhe përmbajtjet bakteriale të jenë prezent në vendet e depozitimit të ujit. Sipas shefes së Epidemiologjisë në Drejtorinë e Shëndetit Publik, Anila Moçi, edhe pse gjendja e ujit të pijshëm është normalizuar në qytetin e Fierit dhe zonat përreth, popullata duhet të marrë masat duke i derdhur dhe pastruar bolierët, si ata individuale deri edhe depozitat e pallateve të rinj, që janë të përbashkëta për dhjetëra apartamente.
“Pavarësisht se aktualisht nuk kemi ndonjë situatë të shpërthimit epidemiologjik nga uji i ujësjellësit, duhet të pranojmë rrezikun që kanoset si pasojë e ujit të mbajtur në vende depozitimi. Është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët, si në komunën Levan, dhe në komunën Frakull, por edhe në qytetin e Fierit, të cilët kanë furnizimin e ujit të pijshëm nga i njëjti ujësjellës, duhet të bëjnë pastrimin e depozitave dhe të bolierëve, pasi në to nuk ka më siguri për pastërti pas disa ditësh ujë të ndotur”, - ka thënë shefja epidemiologe, Anila Moçi. Më tej ajo shpjegon se, “pavarësisht se uji i pijshëm është higjienikisht i pastër dhe i pijshëm, por edhe shumë i sigurt, rreziku që mund të regjistrohet vjen edhe nga bolierët individualë. Më i rëndësishëm është procesi i pastrimit të depozitave tek pallatet e rinj, që kanë edhe përdorim të përbashkët”. Moçi lajmëron duke riapeluar, se duhen pastruar rrugët e sigurimit të ujit nga bolierët si dhe vetë këta të fundit duhet të përballen me një dezinfektim total. Edhe pse uji qëndroi për afro 5 ditë i ndotur, faktorët e rrezikut për një epidemi të mundshme ekzistojnë ende, deri në një rehabilitim të plotë higjieno-sanitar të ujësjellësit fillimisht, si dhe të bolerëve në radhë të dytë.