E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përmbytjet në Filipine, shkon në 40 numri i viktimave

Numri i të vdekurve nga stuhia tropikale Trami në Filipine u rrit në të paktën 40 sot, sipas një raporti të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare lokale, me ekipet e shpëtimit që ende përpiqen të arrijnë banorët e bllokuar në çatitë e tyre.

Dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm. Disa zona regjistrojnë në vetëm dy ditë sasi uji nga reshjet që zakonisht regjistrohen në dy muaj.

“Shumë banorë janë ende të bllokuar në çatitë e shtëpive të tyre dhe po kërkojnë ndihmë”, i tha AFP Andre Dizon, shefi i policisë në rajonin e goditur rëndë Bicol, 400 kilometra në lindje të kryeqytetit Manila.

“Shpresojmë që përmbytjet të zvogëlohen sot pasi shiu ka pushuar”, tha ai.

Aksesueshmëria mbetet një problem i madh për shpëtimtarët, tha presidenti i vendit Ferdinand Marcos në një konferencë për shtyp.

“Ka pasur rrëshqitje dheu në zonat ku nuk ka pasur më parë (…) Kështu që unë mendoj se toka është plotësisht e ngopur dhe uji nuk ka ku të shkojë”, u shpreh ai.

Qytetet Naga dhe Legazpi po raportojnë “shumë viktima, por ne nuk kemi arritur ende atje,” tha Marcos. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›