E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet në vend/ Mbi 1200 banesa dhe mijëra hektarë tokë nën ujë, zonat më problematike

Situata e përmbytjeve në vend paraqitet shqetësuese, me përmasa në rritje nga ora në orë. Gazetari i Vizion Plus Esido Barkaj raporton se deri në këto momente rreth 1 200–1 300 banesa janë përmbytur ose kanë prezencë uji, ndërsa mbi 10 000 hektarë tokë ndodhen nën ujë.

Sipas parashikimeve të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, situata pritet të përkeqësohet edhe në orët në vijim, për shkak të reshjeve të vazhdueshme. Strukturat e emergjencave civile ndodhen në terren dhe kanë intensifikuar paralajmërimet ndaj banorëve që ndodhen në zona me rrezik të lartë përmbytjeje.

Qarku më problematik deri më tani mbetet ai i Durrësit, ku deri ditën e djeshme janë raportuar rreth 800 banesa të përmbytura ose me prezencë uji. Autoritetet bëjnë me dije se kjo shifër pritet të kalojë mbi 1 000 banesa, ndërsa po zgjerohet edhe harta e tokave të përmbytura.

Problematika të konsiderueshme raportohen gjithashtu në qarqet Shkodër, Gjirokastër, Korçë dhe Lezhë, ku po monitorohet nga afër situata dhe po merren masa për të garantuar sigurinë e banorëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat e rrezikuara dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës, ndërsa situata vijon të jetë dinamike.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›