E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, shëndetësia, plan për shmangien e epidemive

Terheqja e ujit, Ministria e Shendetesise fillon monitorimin. Udhezime per trajtimin e patologjive te renda

Me tërheqjen e ujit nga zonat e përmbytura të Shkodrës, autoritetet e shëndetësisë kanë nisur monitorimin për shmangien e epidemive. Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur një plan emergjence për rehabilitimin sanitar të këtyre zonave. Plani fillimisht do të nisë së zbatuari duke vlerësuar dëmet në qendrat shëndetësore dhe kushtet higjieno-sanitare në të cilat ato ndodhen. Në të njëjtën kohë ka filluar përgatitja e udhëzimeve në fletëpalosje, të cilat do të shpërndahen në qendrat shëndetësore, në mënyrë që të shmangen patologjitë e pritshme nga përmbytjet.

Plani

Bazuar edhe në planin e hartuar nga specialistët e shëndetësisë, një tjetër pikë e rëndësishme është edhe monitorimi i higjienës, ku parashikohet marrja e mostrave të paktën dy herë në ditë. Qytetarët në ditët në vijim do të furnizohen nëpërmjet autoboteve me ujë, ndërkohë që ka filluar shpërndarja e klorit në të gjitha segmentet rrugore si dhe pranë pusetave të rrjetit të kanalizimeve.

Një risk tjetër për përhapjen e sëmundjeve infektive është ai nga kafshët apo shpendët e ngordhur, të cilët, sipas autoriteteve të shëndetësisë, do të groposen. Pjesë e planit të emergjencës është edhe shmangia e aksidenteve të mundshme. Pushteti vendor duhet të informojë qytetarët se nuk duhet të ndezin pajisjet elektrike, që ndodhen në ujë, të mbajnë nën vëzhgim fëmijët, si dhe të mos qëndrojnë brenda banesave që janë të paqëndrueshme.

Të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor, publike ose private, bashkëpunojnë, sipas përcaktimeve të bëra në Planin Kombëtar të Emergjencave Shëndetësore dhe veprojnë në bazë të planeve të tyre të emergjencave shëndetësore, të miratuara në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, citojnë këto nene. Konkretisht, ministri i Shëndetësisë, duke vlerësuar shkallën e gjerë të përmbytjes grumbullimin në sasi të mëdha të mbeturinave me natyrë organike, inorganike dhe materialeve të tjera të ngurta, ngordhjen e bagëtive dhe gjallesave të ndryshme dhe qëndrimin e tyre për një kohë të caktuar në përmbytje, ndotjen e ujërave sipërfaqësorë dhe pjesërisht të atyre nëntokësore, përmbytjen e disa ujësjellësve, kryesisht në fshatra, konsideron zonat e përmbytura si zona me risk higjieno-sanitar të shtuar.

Kjo veçanërisht duke e vlerësuar këtë në kompleksin e një zone rurale me profil të spikatur blegtoral. Duke vlerësuar që hapat konkretë të shmangin çdo lloj konfuzioni dhe të përcaktojnë qartë detyrat për shëndetësimin higjieno-sanitar të zonave të përmbytura, plani mendohet të nisë pikërisht nga rehabilitimi i zonave rurale ku ka shumë bagëti.

Situata

Situata shëndetësore në Shkodër po mbahet nën vëzhgim. Specialistë dhe ekspertë të shëndetit publik, po kështu edhe mjekë, monitorojnë shëndetin e banorëve. Në të njëjtën kohë edhe situata mjedisore po vëzhgohet nga afër. Specialistët e shëndetësisë deklarojnë se deri më tani situata shëndetësore është normale. Nga raportimet e fundit mësohet se në zonat e përmbytura situata shëndetësore po mbahet nën kontroll dhe se deri tani nuk ka rrezik shëndetësor.

Zyrtarisht mësohet se ka përmirësime nga situata me përmbytjet në Shkodër, uji ka nisur të tërhiqet në disa lagje të qytetit dhe komuna. Deri dje paradite raportohej se problem mbetej lagjja “Xhabie”, ku rreth 500 metra deri në hyrjen e qytetit të Shkodrës, uji është i pranishëm dhe paraqet një situatë ende problematike. Problem në territorin e qytetit të Shkodrës vazhdon të mbetet lagjja e Livadheve, si dhe pika turistike e Shirokës, të cilat vazhdojnë të kenë prani të lartë uji, duke mbajtur të izoluar një numër të madh banesash. Edhe pse në komuna niveli i ujit ka shënuar rënie, në Dajç, Velipojë e Obot, niveli shënon 2 metër, pasi në këto zona janë dëmtuar komplet argjinaturat, çka solli edhe situatën me përmbytjet. Zyrtarisht numërohen 11 440 ha tokë të përmbytur dhe 4 660 banesa nën ujë. 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›