Përmirësohet infrastruktura turistike në Apoloni

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Parku Kombëtar i Apolonisë, një nga destinacionet më të preferuara sa i përket trashëgimisë kulturore, historisë dhe natyrës, po transformon infrastrukturën e tij, për t’u ofruar vizitorëve një eksperiencë më moderne dhe akses më të lehtë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përcolli pamje nga puna e bërë në Apoloni për përmirësimin e infrastrukturës turistike. Projekti synon organizimin e itinerarit të parkut, ndërtimin e qendrës së re të vizitorëve dhe krijimin e hapësirave të dedikuara për parkim, duke përfshirë akses për autobusë, persona me aftësi të kufizuara dhe automjete elektrike.
Falë mbështetjes financiare të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian, projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me MTKS dhe Bashkinë Fier.
Sipas shifrave që publikoi ministri Gonxhja, PKA pati më shumë se 37 000 vizitorë në 5 muajt e parë të vitit. Vetëm gjatë muajit prill u regjistruan 17% më shumë vizitorë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.
Parku Kombëtar i Apolonisë është një monument i trashëgimisë kulturore afër Pojanit (Fier). Parku ndahet në zonën A dhe zonën B. Qyteti antik (zona A) rreth 120 ha është i rrethuar me mur fortifikues rreth 4,5 km të gjatë, me arkitekturë greko-romake dhe bizantine. Zona B përfaqësohet nga territori ekstramural: nekropoli arkaik, helenistik dhe romak; tempuj dhe ndërtime private ekstramurale.
1 nga 9/a.f/r.e/