Përmirësohet situata në qarkun Fier, lumi Seman rikthehet në shtratin e tij, nis tërheqja e ujit nga banesat e përmbytura

Situata hidrologjike në qarkun e Fierit është përmirësuar ndjeshëm pas përmbytjeve të ditëve të fundit, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se lumi Seman është rikthyer në shtratin e tij dhe ka nisur tërheqja e ujërave nga 20 banesa të përmbytura në fshatin Hasturkas.
Sipas të dhënave zyrtare, çarja e argjinaturës së lumit Seman në dy pika, në Njësinë Administrative Libofsh, ka shkaktuar përmbytjen e qindra hektarëve tokë bujqësore në fshatrat Ndërnenas, Agim dhe Hasturakas. Megjithatë, me rikthimin e lumit në shtratin e vet, situata paraqitet aktualisht më e qetë.
Autoritetet raportojnë se të gjitha akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm vijon pa ndërprerje. Hidrovorët janë në gjendje pune me kapacitet të plotë, përfshirë edhe hidrovorin e Karavastasë, i cili aktualisht ndodhet në kuotën +50.
Sa i përket lumenjve, prurjet në lumin Vjosë janë në kuota normale dhe brenda shtratit të tij, ndërsa lumenjtë Seman dhe Shkumbin janë futur plotësisht në shtratin e tyre.
Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa po vlerësohen dëmet e shkaktuara në infrastrukturë dhe në tokat bujqësore.
/rtsh.al/