E Diel, 1 Nëntor 2026

Përndoqi për një vit e gjysmë 39-vjeçaren, tentoi ta rrëmbente dhe dhunoi shoqëruesin e saj, arrestohet i riu nga Kuçova

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Librazhd, kanë finalizuar operacionin e koduar “Insistimi”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë një shtetas 32 vjeç, banues në fshatin Perondi, Kuçovë, i cili dyshohet se kishte përndjekur për rreth një vit e gjysmë një shtetase 39 vjeçe.

Sipas hetimeve, 32-vjeçari ka tentuar ta marrë me forcë 39-vjeçaren në automjetin e tij. Gjatë incidentit, ai ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit që shoqëronte 39-vjeçaren, duke e goditur me grushte, dhe më pas është larguar nga vendngjarja.

Pas njoftimit për konfliktin e ndodhur në ambientet e jashtme të një karburanti në Librazhd, shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personave të përfshirë.

Autori u kap në hyrje të qytetit të Elbasanit, ndërsa drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Policia sekuestroi automjetin dhe telefonin celular të të arrestuarit, si prova materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›