E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshëndetja e Presidentit Topi në ceremoninë e dekretimit të rektorëve të rinj të Universiteteve shqiptare.

21 janar 2008

Të nderuar zotërinj deputetë,
E nderuar zonja Leskaj,
I nderuar zoti Ministër,
Të nderuar zotërinj Rektorë,

Është një kënaqësi e veçantë për mua që së bashku të përjetojmë këtë moment solemn, njëkohësisht mjaft emocionues për dekretimin e rektorëve të rinj të universiteteve tona, të cilët u zgjodhën më së fundmi nëpërmjet një procesi, së paku nga pikëpamja proceduriale mjaft të admirueshëm.

Me këtë rast, dëshiroj të ndaj me ju gëzimin për këtë ditë dhe t’ju uroj suksese në misionin tuaj fisnik! Nga ana tjetër dëshëroj që të vlerësoj punën e parardhësve tuaj pasi kjo ceremoni e thjeshtë besoj se përfshin kontributin e të gjithëve në sistemin akademik në Shqipëri, sepse mbi të gjitha nuk është një proces që ka filluar këtë vit, por është një proces i gjatë evolucionar ku gjithsecili që ndodhet në një pozicion të lartë sikurse jeni ju, ose në një pozicion të thjeshtë do të kontribuojë në konsolidimin e këtyre institucioneve shumë të rëndësishme , mbi të gjitha në funksion të studentëve, në funksion të përgatitjes së gjeneratave të reja që do të vijnë me një standard të ri për t’i shërbyer Shqipërisë, institucioneve të saj, duke patur një përfaqësim më dinjitoz në kushtet kur Shqipëria tenton të integrohet në familjen europiane. Unë dëshiroj t’ju inkurajoj në misionin tuaj , dëshiroj gjithashtu t’ju them që pas dekretimit tuaj vjen një seri tjetër veprimesh që duhet të vijnë mbi bazën e një mendimi e një bazamenti demokratik në universitete kur të konsolidohen dhe konstituohen edhe institucionet e tjera që kanë të bëjnë qoftë me Senatin, me Këshillin e fakulteteve, me Këshillin administrativ për të krijuar një klimë sa më të mirë për studentët, të cilët për hir të së vërtetës gjatë kësaj periudhe, që është zgjatur më shumë se ç’duhet kanë përjetuar një moment jo fort të këndshëm, për të ndjekur me seriozitet pikërisht atë që është detyra e studentëve: të ndjekin studimet, të shohin një seriozitet dhe të kenë një model te pedagogët e tyre. Është momenti që ne duhet të rifitojmë atë që është humbur gjatë kësaj kohe që universitetet të futen në një punë serioze për të bërë pikërisht atë që ne kemi thenë vazhdimisht: Studenti të jetë në qendër të vëmendjes, sepse nuk do të kishte sens të quheshin pedagogë pa studentë.

Unë, me këtë rast dëshëroj t’ju uroj juve, t’ju uroj të gjithë pedagogëve në të gjitha fakultetet sukses dhe marrëdhënie mjaft të konsoliduar të trupës pedagogjike për të bërë të mundur arritjen e atyre synimeve që kanë universitetet!

Edhe një herë ju uroj për detyrën; gjithashtu sukses dhe vetëm sukses!

Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›