E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përshkallëzohet kriza në Gjirin Persik/SHBA dhe Irani shkëmbejnë sulme, rritet frika për një konflikt më të gjerë

Sirenat e luftës kanë thyer sërish qetësinë e brishtë në Lindjen e Mesme, ndërsa përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po përfshin gjithnjë e më shumë vendet e Gjirit. Forcat e armatosura jordaneze njoftuan se kanë rrëzuar tetë raketa të lëshuara nga Teherani, ndërsa më herët në shënjestër u vunë edhe zona ku ndodhen baza ushtarake amerikane në Kuvajt, Katar dhe Bahrein.

Irani deklaroi se sulmet ishin hakmarrje për bombardimet amerikane ndaj objektivave të tij, ndërsa Uashingtoni reagoi me një valë të dytë goditjesh, duke njoftuar se u goditën rreth 90 objektiva strategjikë. Mes tyre ishin një urë e rëndësishme për tregtinë me Kinën dhe Rusinë, si edhe një kullë kontrolli në një port kryesor, ndërsa mediat e përshkruajnë këtë si ofensivën më të madhe të ditëve të fundit.

Sipas Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, bombardimet dyditore kanë shkaktuar 14 viktima dhe 78 të plagosur, ndërsa sulmet prekën edhe zonat e Bandar Abbasit dhe Bushherit. Mediat shtetërore iraniane raportuan se në shënjestër u vu edhe centrali bërthamor në Bushher, ndërsa tensionet kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit, ku numri i anijeve ka rënë ndjeshëm.

Në përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi zhvilloi bisedime me homologët e Turqisë dhe Omanit, ku sipas Ministrisë së Jashtme iraniane u theksua rëndësia e diplomacisë, komunikimit dhe koordinimit për të ulur tensionet.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›