E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshtatja e biznesit me legjislacionin europian, zv.ministri i Ekonomisë: Ndryshimet të shihen si favorizuese, jo si të paarritshme

Ekonomia shqiptare është në një prag transformimesh të evidentuara tashmë në kontekstin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Zv/ministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu, tha për Radio Televizionin Shqiptar se shndërrimet prekin dy aspekte.

“Nga njëra anë do të kemi një pres strukturor të transformimit të ekonomisë shqiptare, çka do të thotë që disa sektorë të ekonomisë mund të fuqizohen më shumë, disa të tjerë mund të dobësohen dhe Shqipëria do të specializohet tashmë brenda kontekstit të tregut europian në ato sektorë dhe në ato produkte ku do të ketë një avantazh krahasues”, tha ai.

Aspekti tjetër lidhet me sipërmarrjet.

“Është edhe një proces i brendshëm transformimi për vetë biznesin shqiptar në mënyrë që ky biznes të përputhet dhe të përmbushë standardet që kërkon tregtimi në tregun e Bashkimit Europian dhe të mund të operojë duke u bazuar në faktin që klientët e tij tashmë, apo konsumatorët apo përdoruesit e mallrave e shërbimeve që ky biznes ofron, do të jenë jo më vetëm shqiptarët apo konsumatorët shqiptarë, por do të jenë të gjithë konsumatorët në Bashkimin Europian” tha ai.

Ndërsa është e qartë që toleranca e mëtejshme është e pamundur, administrata shqiptare e ka një program.

“Kështu siç jemi, nuk mund të futemi në Bashkimin Europian. Ne duam të futemi në Bashkimin Europian në mënyrë që të operojmë dhe të jetojmë dhe të punojmë me standarde njësoj si vendet e Bashkimit Europian. Dhe në ato sektorë, le të themi, që ne nuk mund të kapim standardet e Bashkimit Europian, patjetër që do të kenë kosto më të larta për t’u adaptuar, për të tregtuar në tregun e vetëm europian dhe patjetër që mund të ketë edhe biznese apo sipërmarrje që nuk mund të adaptohen dot me këto standarde, por ky është një moment jashtëzakonisht pozitiv për sa i përket biznesit dhe sipërmarrjes shqiptare”, nënvizoi Musabelliu.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›