E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përtej kufirit të formave”, piktori i ri Arnol Shukulli hap ekspozitën e parë personale në Korçë

Pas përfundimit të studimeve të larta në Akademinë e Arteve në Tiranë, piktori i ri Arnol Shukulli rikthehet në qytetin e tij të lindjes, Korçë, me ekspozitën e parë personale.

Ekspozita “Përtej kufirit të formave”, e hapur në Galerinë e Arteve “Guri Madhi”, ka tërhequr vëmendjen e shumë artdashësve korçarë, të cilët janë befasuar nga qasja e tij kreative dhe puna e imët në trajtimin e figurës njerëzore.

Në qendër të veprave të tij janë portretet, një gjini të cilën Shukulli e pranon se e lëvron me kënaqësi të veçantë, duke u përqendruar në shprehjen emocionale dhe identitetin individual të subjektit.

“Portreti është për mua mënyra më e drejtpërdrejtë për të komunikuar shpirtin dhe botën e brendshme të njeriut. Kjo ekspozitë është një reflektim i rrugëtimit tim artistik deri tani”, tha Shukulli.

Vlerësimi për punën e tij nuk ka munguar edhe nga emra të njohur të artit vizual. Pedagogu dhe kritiku Mikel Temo e cilëson Shukullin si një talent premtues, veçanërisht në lëvrimin e gjinisë së portretit.

“Arnol Shukulli ka një ndjeshmëri të veçantë për portretin. Ai arrin të kapë thellësinë psikologjike të figurës, gjë që është tregues i një pjekurie të parakohshme artistike”, tha Temo.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë në ambientet e Galerisë “Guri Madhi”, duke ofruar një mundësi të mirë për publikun korçar të zbulojë një zë të ri dhe premtues në skenën e artit bashkëkohor shqiptar./vizionplus.tv

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›