Përvetësuan 100 milionë euro, shpërbëhet rrjeti kriminal që mashtroi 100 qytetarë europianë me investime në kriptomonedha

Autoritetet europiane të zbatimit të ligjit kanë arritur të shpërbëjnë një rrjet që mashtronte me kriptomonedha dhe viktimë e të cilit kanë rënë më shumë se 100 persona, të cilëve iu shkaktua në total një dëm prej 100 milionë eurosh.
Organi gjyqësor i BE-së, Eurojust, bëri me dije se janë bastisur prona në Spanjë, Portugali, Itali, Rumani dhe Bullgari, dhe janë vënë në pranga pesë të dyshuar, përfshi edhe ideatorin e skemës mashtruese.
Viktimave iu premtoheshin fitime të mëdha nëse investonin në kriptomonedha përmes një platforme online. Paratë e marra nga ta, të dyshuarit i transferonin në llogari bankare në Lituani, ku edhe pastroheshin.
Sapo viktimat përpiqeshin të tërhiqnin shumat që kishin investuar, atyre iu kërkoheshin tarifa shtesë dhe pas kësaj faqja e internetit, që të dyshuarit përdornin, zhdukej. Në shumë raste, investitorët humbnin të gjitha paratë e tyre, bëri me dije Eurojust në një deklaratë për shtyp.
Skema kishte nisur të zbatohej të paktën që nga viti 2018 në rreth 23 vende. Viktimat ishin nga vende të ndryshme europiane, si Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/