E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pesha e moshës dhe lufta me leuçeminë/ 72-vjeçari nga Elbasani, sëmundjen e zbuloi nga një kontroll rutine

Mendoi se ishin probleme të moshës, një lodhje e shpeshtë dhe dobësi trupore, por nuk e kishte menduar kurrë se do të përballej me sëmundjen e rëndë të Leucemisë në moshën 67 vjeçare.

Ibrahim Trroka nga fshati Papër i Elbasanit, sot është 72 vjeç, dhe prej 5 vitesh lufton çdo ditë të jetës, luftë e cila i nisi nga një kontroll rutinë.

“Jam me Leucemi malinje, njëherë në dy muaj vij e marr ilaçet që mi jep shteti falas. E zbulova nga chek-up, isha në prag pensioni ndihesha i këputur. Kam 5 vite që vazhdoj me këtë diagnozë”, tregoi ai.

Njëherë në dy muaj Ibrahimi paraqitet në QSUT për ndërrimin e kurës. Edhe pse ka katër fëmijë, të cilët jetojnë jashtë dhe brenda vendit, në spital Ibrahimin e gjejmë të vetëm.

“Unë vij vetë, njëherë në dy muaj, pasi marr rekomandimin nga doktori i familjes dhe specialisti, vij të marr ilaçet këtu… për momentin jam në rregull se e kam kap Leuceminë në kohën fillestare. Mbështetjen e familjes e kam shumë. Kam dy djem e dy vajza, nuk ma kanë prishur kurrë. Por, mërzitesh sidoqoftë”, u shpreh ai.

Thuajse të gjithë jetën 72-vjeçari ia ka kushtuar bujqësisë, jo vetëm në Shqipëri. Me ndërrimin e sistemit, Ibrahimi për shumë vite punoi si emigrant në vendin fqinj, në Greqi. Jo vetëm pesha e moshës por, edhe sëmundja e rëndë, thotë Ibrahimi ia pamundëson punën, edhe pse ai nuk i reziston dot.

“Nuk punoj dot më nga Leucemia, kujdesem nga pak me bërë ndonjë rregullim, si sistemim të krasitjeve. Nuk punoj më, përjetoje si të duash, njeriu ka nevojë të ec e të dal, kur s’je në gjendje të bësh këto s’kemi ça bëjmë. Më ka penalizuar shumë, kam katër vite që nuk bëj dot gjë. Leucemia imunitetin, nuk e ke të fuqishëm. Mund të punosh 5 minuta, aq. Jam me heridiskale e kam të vështirë të eci”, tregoi ai.

/abcnews.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›