E Diel, 1 Nëntor 2026

Pezullohen dy zyrtarë në Tiranë për falsifikim dokumentesh, në kërkim dhe një 41-vjeçar

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” në mungesë për shtetasin nën hetim D.I. alias I.K. alias I.A, i dyshuar për veprën penale të “Falsifikimi i dokumenteve” dhe masat e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasit O.O. punonjëse në njësinë administrative nr. 3 në Tiranë dhe shtetasin A.K., IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, në Ministrisë së Brendshme.

Sipas prokurorisë, nga hetimet mbi procedimin penal të vitit 2026, rezultoi se shtetasi I.A., i dënuar më parë për veprën penale të mashtrimit, me veprimet e tij aktive ka cenuar veprimtarinë normale të organeve shtetërore si dhe marrëdhëniet e shtetit shqiptar ndërkombëtarisht duke përdorur dokumente të falsifikuara sikur janë lëshuar nga shteti i Izraelit. Personi nën hetim, tregon me veprimet e tij për një rrezikshmëri të lartë shoqërore, duke përdorur dokumente të falsifikuara për t’u pajisur më tej me dokumente identiteti të rreme si kartë identiteti dhe pasaportë biometrike për të lëvizur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Prokuroria njoftoi se shtetasi I.A. alias I. K., rezulton se ka ndryshuar emrin dhe mbiemrin në D.I., në Zyrën e gjendjes civile në Njësinë Administrative Novoselë, Bashkia Vlorë, dhe më datë 27.11.2025 nga ana njësisë administrative nr. 5 Tiranë, ku ky person rezulton banor, u konstatua ndryshimi gjatë kontrollit të procedurës për riaplikim për pasaportë biometrike dhe ju vendosën gjeneralitetet e mëparshme nga D. I. në I. K.

“Më pas më datë 29.12.2025 me një kërkesë për ndryshimin e vendbanimit nga njësia Administrative nr. 3 Bashkia Tiranë u kryen veprime për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit sipas një certifikate që mban të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Izraelit nga I.K. në D.I., të dhëna që mbahen dhe aktualisht nga ky shtetas”, njoftoi prokuroria.

Sipas prokurorisë, organi procedues çmon se ka dyshime se ndryshimet e emrit dhe mbiemrit janë kryer në kundërshtim me ligjin 10129 datë 11.05.2009 “Për gjendjen Civile” dhe se dokumentet në gjuhën hebraike të paraqitura nga ky shtetas të jetë të falsifikuara.

Prokuroria bëri të ditur se punonjësja e Gjendjes civile të Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake nr. 3 Tiranë O.O. duket se ka pranuar në kundërshtim me ligjin një akt të emërtuar certifikatë për ndryshimin e emrit të lëshuar sipas dokumentit nga Ministria e Brendshme e Shtetit të Izraelit. Kjo shtetase ka pasur të dhënat në sistemin e gjendjes civile dhe nuk duhet të pranonte këtë dokument si të vlefshëm për të vijuar me ndryshimin e emrit dhe mbiemrit.

Prokuroria çmon se, dokumenti i emërtuar si certifikatë e Ministrisë së Brendshme Izraelite, nuk mund dhe nuk duhet të ishte i vlefshëm, i pashoqëruar me akte të tjera si kërkesa për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit dhe punonjësja e gjendjes civile ka patur detyrimin për verifikimin dhe analizën dhe të mospranonte regjistrimin e këtij ndryshimi.

Ndërkohë që nga hetimet rezulton se ndryshimi i të dhënave është bërë nga një user, mbajtësi i të cilit kishte dalë prej vitesh në pension dhe se nga ky user, janë kryer një numër shumë i lartë veprimesh për ndryshime ne gjendjen civile për persona që kanë probleme me ligjin, të dënuar, të deportuar nga vendet e Bashkimit Evropian etj. Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi masën e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre” për personat nën hetim O.O. dhe A.K.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›