E Diel, 1 Nëntor 2026

Piramida e pagave shtetërore, Rama fton në Kryeministri magjistratët

Në datën 28 shtator, gjyqtarët,prokurorët dhe përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë janë ftuar nga kryeministri Edi Rama në godinën qeveritare.

Në fokus të diskutimit do të jetë ligji i ri për piramidën e pagave shtetërore.

Ftesa, që mban firmën e sekretares së përgjithshme, u është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, gjykatave, prokurorive të vendit dhe shoqatave të magjistratëve, ndërsa sipas kryeministrit Rama në tryezë do të jenë edhe përfaqësues të Këshillit të Europës.

Ndonëse shoqatat e magjistratëve kanë paralajmëruar se do ta refuzojnë ftesën për dialog dhe do ta vijojnë betejën për pagat në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Rama i fton të diskutojnë për një mekanizëm të ri, që synon të përcaktojë rregulla të qarta për llogaritjen dhe rishikimin e pagave. Në letrën e firmosur nga Sekretarja e Përgjithshme e Kryeministrisë theksohet se zgjidhja duhet të marrë parasysh edhe mundësitë e buxhetit të shtetit.

“Kryeministri, z.Edi Rama ju fton në një tryezë të përbashkët konsultimi, si pikënisje e një procesi të hapur konsultimi, dialogu dhe bashkërendimi ndërinstitucional, me synim diskutimin e përbashkët të parimeve dhe elementeve mbi të cilat mund të ndërtohet një mekanizëm i qëndrueshëm, koherent dhe i parashikueshëm për përcaktimin e pagave në sistemin e drejtësisë, sipas standardeve evropiane.

Diskutimi do të përqendrohet në identifikimin e parimeve, kritereve dhe instrumenteve që duhet të udhëheqin politikën e pagave, duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë buxhetore, koherencën ndërinstitucionale, proporcionalitetin ndërmjet funksioneve dhe përgjegjësive”, thuhet në letër.

Sipas Kryeministrisë, tryeza synon që institucionet të bien dakord për një mënyrë të përbashkët të përcaktimit të pagave, e cila të mbështetet në kritere objektive dhe të kontribuojë në forcimin e pavarësisë së drejtësisë.

Ftesa vjen pasi Kuvendi miratoi me 84 vota pro formulën e re të pagave të magjistratëve që përcakton se paga referuese e magjistratëve do të jetë sa 38% e pagës së Presidenti të Republikës nga 36% që ishte, me një rritje prej rreth 8500 lekësh. Ligji u dekretua menjëherë nga presidenti Begaj, por rritja 8500 lekë e pagës referencë është 9-fish më e vogël se ajo që vetë magjistratët thonë se ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

Ftesa u është dërguar:

Këshillit të Lartë Gjyqësor

Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Gjykatës së Lartë

Prokurorisë së Përgjithshme

Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm

Gjykatës Administrative të Apelit

Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm

Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë

Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm

Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm

Forumit të Grave Gjyqtare Shqiptare

Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë

Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë

Shoqatës së Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›