Pirdeni: Reformimi i Administratës Publike përballë sfidave të aderimit në BE

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Nga 30 qershori deri në 4 korrik u organizua edicioni i dytë i Javës së Administratës Publike 2025.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni bëri me dije se sot u mbajt aktiviteti “Ti je Aset”, që u rikthye për të dytin vit radhazi, si guri i kurorës së Javës së Administratës Publike 2025, Edicioni II.
Pirdeni tha se tej shembujve frymëzues të kolegëve profesionistë që nderuam, u diskutua me ekspertë të administratës mbi mënyrat si sistemi duhet të reformohet, që të jetë më i drejtë, më transparent, më motivues dhe më i aftë për t’u përballur me sfidat e aderimit të Shqipërisë në BE.
Ky aktivitet ishte një mundësi shumë e mirë për t’u angazhuar qoftë edhe drejtpërdrejtë duke u punësuar në administratën publike, qoftë duke u angazhuar në nismat e përbashkëta. Rienergjizimi i administratës publike për t’i shërbyer thellësisht funksionit publik është një nga angazhimet e Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
“Java e Administratës Publike 2025 – Edicioni II”, organizuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, solli një seri aktivitetesh shumëdimensionale dhe ndërvepruese për angazhim të hapur, reflektim dhe dialog vizionar duke nxitur mendim kritik në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.
1 nga 11/e.i/a.f//r.e/