E Diel, 1 Nëntor 2026

Pjesë e grupit të “Visit të Pojës”, kush është Juxhin Drazhi që u ekstradua nga Spanja, i fundit që takoi Miklovan Dakajn

Një nga personat e kërkuar nga drejtësia, i akuzuar si anëtar i një grupi të rrezikshëm kriminal është ekstraduar nga Spanja në vendin tonë.

Nën masa të forta të sigurisë, Juxhin Drazhi, 34-vjeçari i shpallur në kërkim nga SPAK për trafik droge në kuadër të operacionit të koduar “Ura”, ka mbërritur mbrëmjen e së premtes në Rinas ku do të përballet me drejtësinë dhe akuzat e ngritura ndaj tij.

Drazhi u arrestua më 8 gusht në shtetin spanjoll, ndërkohë ai akuzohet si trafikant i drogës në disa shtete të Evropës si në Norvegji dhe Belgjikë në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

34-vjeçari është një nga anëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Elvis Doçi, i njohur edhe si Visi i Pojës. Edhe ky i fundit u arrestua nga autoritetet spanjolle në një shtëpi luksoze.

Sipas hetimeve, rezulton se Drazhi ishte personi i fundit që ka takuar Miklovan Dakajn. Ky i fundit rezultoi i zhdukur që në muajin maj, ndërkohë në shtator trupi i tij u gjet i pajetë në Marbella të Spanjës.

“Ura” kishte në fokus tre grupe të krimit të organizuar, me aktivitet të gjerë në trafikimin ndërkombëtar të drogës, kokainë e heroinë, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Ishin autoritetet e huaja dhe Prokuroria e Posaçme të cilët goditën aktivitetin e këtij grupi kriminal, ndërkohë që hetimet kishin nisur në vitin 2016. Zbërthimet e SkyECC nxorrën në pah rolet e anëtarëve dhe sasitë e mëdha të kokainës të trafikuara.

Paratë e drogës silleshin në Shqipëri ku investoheshin në pasuri të paluajtshme dhe në biznese. Pjesë e organizatës ishin 3 grupe kriminale, kryesori në Durrës dhe 2 të tjerët në Itali.

Kujtojmë se në qershor Gjykata e Posaçme sekuestroi me urdhër të SPAK 21 pasuri me vlerë 12 milionë euro në Durrës dhe zona të tjera, që rezultonin në emër të anëtarërëve të këtij grupi ose të afërmëve të tyre./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›