Plan i ri lëvizshmërie për Shkodrën – Parashikohet transformim i trafikut dhe lehtësim i qarkullimit në qytet

Shkodra bëhet qyteti i parë në Shqipëri që miraton Planin e Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane, një dokument strategjik i hartuar gjatë dy viteve punë nga mbi 23 ekspertë ndërkombëtarë. Plani synon transformimin e mënyrës së qarkullimit në qytet, rritjen e sigurisë në rrugë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.
“Do ketë ndërhyrje në dy bulevard kryesore, të cilët do kthehen jo vetëm në bulevarde ku do ketë ndikim të madh në lëvizshmërinë e makinave. Po punojmë për dy parkime te nëndheshme dhe transporti publik”, u shpreh Rudin Beka, Zëvendëskryetar, Bashkia Shkodër.
Gjatë intervistës për RTSH, zv.kryetari Beka ndalet edhe te mënyra sesi ky plan do të prekë aktivitetin ekonomik në qytet.
“Do vendosen orare për sa i përket shpërndarjes dhe do këtë disa zona me kufizime të caktuara”, tha Beka.
Plani do të shtrihet në tre afate realizimi. Me miratimin e këtij plani, Shkodra synon të vendosë standarde të reja duke forcuar identitetin e saj si qytet i biçikletave dhe duke orientuar zhvillimin drejt një mobiliteti modern, të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/