Plani i qeverisë kundër parasë cash, biznesi i shqetësuar: Jemi të papërgatitur

Qeveria po ndërmerr gjithnjë e më shumë hapa për të digjitalizuar mënyrën se si kryhen pagesat në jetën e përditshme. Nje prej ketyre masave është përfshirë në paketën fiskale për vitin e ardhshëm, ku bizneset detyrohen të pajisen me sistemin e pagesave “POS” deri në muajin maj, me objektivin që deri në vitin 2030 Shqipëria të ketë një ekonomi pothuajse pa para cash.
“Në gjykimin tim, ekonomia duhet të shkojë drejt modelit cashless, sepse kostot financiare janë shumë herë më të ulëta nëse reduktohet përdorimi i parasë fizike. Cash-i ka koston e vjedhjes, të shërbimit, të transportit, të humbjes dhe shumë të tjera. Vetë ekonomia e vendit fiton ndjeshëm nga ky proces. Por, më shumë sesa masa detyruese për përdorimin e POS-it, unë do preferoja që të zgjidheshin metoda nxitëse për qytetarët dhe bizneset”, tha eksperti i ekonomisë Artan Gjergji
Nga ana tjetër, grupi që mund të preket më shumë nga ky ndryshim janë bizneset e vogla dhe të mesme. Sipas tyre, edukimi i qytetarëve do të kërkojë kohë, duke pasur parasysh se rreth një e treta e popullsisë janë pensionistë, ndaj cash-i, sipas tyre, duhet të vazhdojë të ketë një rol në ekonomi.
“Ne e kemi parë me shqetësim këtë vendim të qeverisë për mënyrat e reja të pagesave. Biznesi i vogël dhe i mesëm është ende i papërgatitur për këtë inovacion pasi shumica e pronarëve janë vetëpunësuar dhe për ta kjo është një kosto shtesë. Ne kemi kërkuar që afatet të jenë më të gjata. E njëjta situatë ndodhi edhe me fiskalizimin, ku shumë biznese u penalizuan në fillim”, u shpreh Bujar Muça, nënkryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm
Përveç detyrimit për pajisjen me “POS”, Ministria e Financave në paketën fiskale ka përfshirë edhe monitorimin e bizneseve online që shesin mallra dhe shërbime. Sipas autoriteteve, shumë prej tyre operojnë në informalitet, ndërsa pagesat kryhen cash dhe pa kupon tatimor, duke mos kontribuar në arkën e shtetit./vizionplus.tv