E Diel, 1 Nëntor 2026

Plazh edhe në pranverë në Vlorë, qytetarë të shumtë shijojnë bregdetin


TIRANË, 7 mars /ATSH/ Vlora, një ndër qytetet me plazhet më të bukura në vendin tonë, tërheq çdo vit mijëra turistë vendas e të huaj.

Qytetarë të shumtë i janë drejtuar këtë të diel bregdetit të Vlorës për të shijuar motin e ngrohtë me diell.

Edhe pse sezoni i plazhit ende nuk është çelur zyrtarisht, shumë vizitorë vendas dhe të huaj kanë zgjedhur Vlorën për të shijuar fundjavën dhe rrezet e diellit, duke u larë edhe në det.

Shëtitorja përgjatë Lungomares është plot edhe në këto ditë të marsit, ndërsa qytetarë të tjerë zgjodhën të shijojnë rrezet e diellit në bregdet duke shijuar kaltërsinë e detit në distancë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Vlorës, i cili po shndërrohet në një destinacion gjithëvjetor falë rezervimeve nga turistët e huaj.

Fluksin turistik në rritje e dëshmojnë edhe strukturat hoteliere, të cilat flasin për rritje të rezervimeve nga turistët e huaj.

Shtimi i plazheve publike dhe menaxhimi më i mirë i hapësirës bregdetare pritet të sjellin edhe këtë vit rritje të numrit të pushuesve që frekuentojnë këtë plazh.

Përveç bregdetit, Vlora ofron edhe turizmin malor, si dhe atë të aventurës. Po ashtu, pjesë e ofertës turistike janë muzetë, kultura, kulinaria, tradita e ruajtur dhe promovuar me mjaft kujdes.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›