Plazhet publike në Vlorë, pushuesit vendas kërkojnë më shumë hapësira pa pagesë

Megjithëse mesjavë, plazhet në qytetin e Vlorës vijojnë të jenë të frekuentuara, e kjo vihet re edhe në plazhin publik. Një hapësirë që më së shumti përdoret nga moshat e treta, ata që kursejnë distancën por edhe buxhetin.
Sa i takon kushteve, përdoruesit e plazhit publik, që janë vendas kryesisht, thonë se masat janë marrë e sigurisht ndryshimi vihet re, mirëpo ajo që ata shikojnë si problem është hapësira jo e bollshme e plazhit që Bashkia ka lënë për publikun pa pagesë.
“Këtë vit hapësira është ngushtuar”, thotë një prej tyre.
Në plazhin publik pranë ish-shkollës së Marinës, këtë vit Bashkia ka ndërhyrë për mbylljen e kanaleve të ujërave që derdheshin në det, dhe devijimin e tyre me impiant.
Masa janë marrë edhe në vendosjen e kullave të vrojtimit, plugimit të rërës, si dhe vendosjen e disa çadrave pa pagesë.
Sezoni turistik në Vlorë parashikohet të shënojë një rekord për numrin e pushuesve të huaj, nga vendet e Bashkimit Europian.