Plotësohet skuadra e finalistëve, të hënën e ardhshme mbyllet rrugëtimi i “Albania’s Got Talent”

Leandra Plaku dhe Tristan Çela, janë dy konkurrentët e fundit që u përzgjodhën nga juria për t’iu bashkuar finalistëve të spektaklit “Albania’s Got Talent”.
Kështu është plotësuar i gjithë mozaiku i përbërë nga 12 finalistë, që do të dhurojnë një spektakël të jashtëzakonshëm me talentet e tyre, më datë 27 janar.
Gjysmëfinalja e fundit ishte plot emocione, e vërtetoi edhe njëherë se ky prodhim i “Vizion Plus” gjatë këtij sezoni ka qenë një sukses i vërtetë.
Mbrëmja nisi me energjinë e pashtershme të kërcimtares së vogël Leandrës, dhe vijoi me artistin Joti, i cili edhe këtë herë befasoi jurinë me pikturat e tij me kripë dhe zjarr.
Po aq emocione të bukura dhuroi edhe Reana me zërin e saj të ëmbël, apo dhe balerina Katerina e ndjekur nga performanca fantastike e Soar Zhgurit.
Romeo me memorien e tij kompjuterike u tregoi edhe njëherë anëtarëve të jurisë, por dhe publikut që talenti nuk njeh moshë.
Sigurisht që një moment pikant i mbrëmjes ishte performanca në bateri e dy binjakëve Jana dhe Jori, që morën padyshim vlerësimet më të larta nga Agron Llakaj, Adelina Ismajli, Ledina Çelo dhe Kastro Zizio.
Dymbëdhjetë finalistë mes të cilëve vetëm 1 do të rrëmbejë çmimin e madh prej 20 mijë eurosh.
Gara është e fortë, por mbi të gjitha talentet janë të mëdha, dhe kjo është dëshmuar përgjatë këtyre javëve ku juria shpesh është vënë përballë dilemash dhe zgjedhjesh të vështira.
Por kush prej konkurrentëve do të jetë fitues i edicionit të parë të “Albania’s Got Talent”?
Për të mësuar këtë por për të përjetuar emocione të vërteta ky spektakël që theu çdo rekord televiziv ju lë takim të hënën e ardhshme në orën 21.00 vetëm në ekranin e televizionit kombëtar Vizion Plus./vizionplus.tv