E Hënë, 2 Nëntor 2026

Plumba tradhtisë, gjykata lë në burg policin, flet gruaja: Raporti im me Lorenc Kostën

Erjon Goxhara, polici që plagosi inxhinierin e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) Lorenc Kosta, u la në burg pa afat nga Gjykata Penale e kryeqytetit.

I penduar për plagosjen me gjashtë plumba ndaj Lorenc Kostës, Goxhara tha se sulmin e ka kryer në kushte të rënda psikike. Të njëjtën mbrojtje patën edhe avokatët e tij, ndaj pretenduan një masë më të butë sigurie, arrest në shtëpi. Por kjo u hodh poshtë nga togat e zeza.

 Erjon Goxhara po hetohet nga prokuroria për vrasje me paramendim mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Për akuzën e dytë do duhet të provohet fillimisht nëse arma e përdorur është e shërbimit ose jo.

Në fund, gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për ekspertizë të gjendjes psikike, ndaj do të jenë rezultatet e Institutit të Mjekësisë Ligjore ato që do të jenë vendimtare në procesin ligjor ndaj efektivit Erjon Goxhara.

Në orët e vona të mbrëmjes së 21 gushtit polici 46 vjeçar i dha fund arratisë së tij dy ditore për aktin e rëndë ndaj inxhinierit, me të cilin dyshonte se bashkëshortja e tij kishte një marrëdhënie jashtëmartesore. Ka qenë vetë bashkëshortja e efektivit që ka pranuar tradhtinë. Rreth një vit pasi kishte filluar punë si juriste, në Entin Rregullator të Energjisë ka krijuar njohje dhe afrimitet me shtetasin Lorenc Kosta, të cilin e kishte në punë.

Dëshmia e bashkëshortes:

 Kam pasur një raport intim me shtetasin Lorenc Kosta. Kjo gjë ka ndodhur vetëm një herë, pas këtij momenti, kontaktet me Lorencin kanë qenë vetëm për çështje pune. Prej muajit Janar 2024 Erjoni ka shfaqur shenja xhelozie, duke u fiksuar që mund ta tradhtoja.

Fillimisht, pretendimet e tij për tradhti nga ana ime ishin pa ndonjë shkak të arsyeshëm apo bazë konkrete, saqë në vijim filloi të bëhej obsesiv dhe të më ushtronte presion psikologjik që unë t’i tregoja personin me të cilin e tradhtoja. Në fillim të muajit korrik, pas presionit të vazhdueshëm dhe dhunës fizike të ushtruar nga ana e Erjonit, unë i kam pranuar që e kisha tradhtuar vetëm 1 herë, vite më parë, me një kolegun e punës sime, shtetasin Lorenc Kosta.

Fillimisht Erjoni më ka thënë që t’i tregoj se do mi falë të gjitha, por pasi unë i kam treguar në lidhje me flirtin e hershëm me shtetasin Lorenc Kosta, ai është bërë keq dhe më ka ofenduar, sharë dhe ushtruar dhunë fizike ndaj meje. Një javë pas këtij konflikti, Erjoni, nga telefoni im ka komunikuar me Lorencin dhe e ka kërcënuar me jetë

Çfarë ndodhi?

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e të hënës së 19 gushtit në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Goxhara qëlloi me gjakftohtësi në drejtim të Kostës, duke e plagosur rëndë në pjesën e barkut dhe të gjymtyrëve.

Në momentin që efektivi e ka qëlluar me 6 plumba, ka nxjerrë telefonin duke i bërë video të plagosurit, pamje të cilat më pas i ka shpërndarë tek të afërmit e tij. Pas krimit, Goxhara është larguar me mjetin e tij drejt banesës për të marrë një çantë.

Pas kësaj ai ka shkuar me djalin e tij në afërsi të Shkozës  ku pikërisht në këtë vend një efektiv policie e ka thirrur në emër dhe i ka kërkuar që të ndalojë. Goxhara është larguar me vrap duke i shpëtuar arrestimit ku fillimisht u dyshua se u fsheh në zonën e Dajtit.

Pas disa ditësh në arrati, Goxhara u vetëdorëzua në 21 gusht në drejtorinë e policisë. /vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›