Po hetonte çështjet penale ndaj Trump, jep dorëheqjen në mënyrë të beftë prokurori amerikan!

Prokurori më i lartë federal në Miami, Jason Reding Quiñones, i cili mbikëqyrte hetimet e vjetra penale ndaj Presidentit Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen.
Lajmi u konfirmua këtë të premten nga Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche, raporton Reuters. Quiñones ishte Prokuror i Distriktit Jugor të Floridës dhe ndodhej në qendër të përpjekjeve të administratës Trump për të rishqyrtuar dosjet e mbyllura penale ndaj Trump-it.
Sipas Reuters, zyra e tij ishte ngarkuar me hetimin e mënyrës se si ishin zhvilluar dy hetime kryesore.
E para, ishte trajtimi i dokumenteve të klasifikuara nga Trump pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, dhe e dyta, ishin kontaktet e fushatës së tij me Rusinë në zgjedhjet e vitit 2016. Këto përpjekje, sipas agjencisë, nuk kanë dhënë rezultate deri më tani.
Zyra e tij kishte ngritur gjithashtu padi penale kundër ish-presidentit kubanez Raul Castro, si pjesë e fushatës së presionit të administratës Trump ndaj Kubës.
Dorëheqja e Quiñones është e dyta e një zyrtari të lartë të Departamentit të Drejtësisë që nga zgjedhjet e mesmandatit të së martës, ku republikanët e Trump-it humbën kontrollin e Kongresit.
Një ditë më parë, të enjten, dha dorëheqjen edhe Harmeet Dhillon, e cila drejtonte njësinë e të drejtave civile.
Me këto largime, Departamenti i Drejtësisë mbetet pa drejtues për dy nga nismat kryesore, për rigjykimin e hetimeve të kaluara dhe nismën ndaj arsimit të lartë.
Arsyeja e dorëheqjes nuk është bërë e ditur. Në një deklaratë në X, Quiñones tha se dorëheqja hyri në fuqi të premten dhe e quajti nder shërbimin në këtë rol.