“Po nëse Veliaj shpallet i pafajshëm?”, Sulo: Ky është eliminimi politik zyrtar i tij nga Rama

Analisti politik Arion Sulo, i ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH 1, e komentoi shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj si një vendim me prapavijë të qartë politike. Ai ngriti pyetjen thelbësore: “Po nëse Veliaj shpallet i pafajshëm, kush e kompenson atë?”
Sulo argumentoi se vendimi për shkarkimin e Veliajt është politik, duke vënë në dukje se rruga për këtë akt u shtrua nga kryeministri Edi Rama vetë, në Asamblenë e Partisë Socialiste. Sipas Sulos, kjo tregon një ndikim të drejtpërdrejtë politik.
Ai gjithashtu kritikoi përdorimin e nenit ligjor, duke thënë se, ndonëse ligji penalizon një kryetar bashkie për mungesë tre-mujore, Veliaj është në paraburgim dhe jo i munguar me dëshirë.
“Mendoj se shkarkimi ishte politik. Fakti i parë është se Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste shtroi rrugën, procedurën e shkarkimit të tij. Pra këtu kemi një ndikim politik. Vetë Rama vuri në dukje paqartësinë dhe nevojën nenin e qeverisjen së pushtimit vendor ku thotë që penalizon kryetarin e bashkisë, tre muaj mungesë që konsiderohen pa arsye, por nuk shkruhen. Ajo nënkupton që kryetari është pa arsye”, tha Sulo.
Sulo solli në vëmendje precedentin e ish-kryeministrit Berisha, të cilit i ishte zgjatur mandati nga mazhoranca, ndonëse mungoi për 6 muaj për shkak të arrestit shtëpiak.
“A mund të shkarkohet një kryebashkiak me 158 mijë vota?”, pyeti analisti.
Duke parë të gjithë rrethanat, Sulo e përshkroi shkarkimin e Veliajt si “eliminim politik dhe zyrtar i Ramës për Veliaj”, pavarësisht nga rezultati i procesit gjyqësor.
“Procesi mund të zgjasë pa fund, por mund të mbarojë edhe pas dy javësh. Dosja ka shkuar në Gjykatë. Po nëse Veliaj shpallet i pafajshëm, kush e kompenson atë”, pyeti Sulo.
/rtsh.al/