E Hënë, 2 Nëntor 2026

Po përpiqej të thyente rekordin botëror, çiklisti francez arrestohet në Rusi për kalim të paligjshëm të kufirit

Një shtetas francez është arrestuar dhe ndaluar në paraburgim nga autoritetet ruse në rajonin e Lindjes së Largët të Rusisë. Lajmi u konfirmua nga burime diplomatike franceze, të cilat nuk dhanë detaje mbi datën apo rrethanat e ndalimit, dhe gjithashtu nuk zbuluan identitetin e të ndaluarit.

Sipas gazetës franceze Le Monde, bëhet fjalë për Sofian Sehili, një çiklist 44-vjeçar i specializuar në garat e distancave të gjata. Ai u arrestua në Vladivostok, në fund të një udhëtimi me biçikletë nga Lisbona deri në skajin lindor të Rusisë, me qëllim thyerjen e rekordit botëror për përshkrimin e Euroazisë me biçikletë. Ai pritet të përballet me akuza për hyrje të paligjshme në territorin rus.

Burime nga Ministria e Jashtme Franceze bënë të ditur se Konsullata e Përgjithshme franceze në Moskë ka kontaktuar me autoritetet ruse dhe ka kërkuar ofrimin e mbrojtjes konsullore për qytetarin e saj.

Sipas L’Équipe, Sehili kishte nisur udhëtimin më 1 korrik nga Lisbona dhe më 2 shtator njoftoi në Instagram se ishte bllokuar në kufirin kino-rus, pasi kishte bërë dy përpjekje për të hyrë në territorin rus.

Sofian Sehili, ish-gazetar në revistën Télérama, është një emër i njohur në çiklizmin e ultra-distancave. Në faqen e tij zyrtare, ai deklaron se ka marrë pjesë në më shumë se 25 gara që nga viti 2016, duke fituar 11 prej tyre. Në vitin 2017, ai përshkoi 16,000 kilometra nga Parisi në Tajvan për tre muaj.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›