Po tentonte të rikthente energjinë elektrike gjatë orëve të stuhisë, ndërron jetë elektricisti në Himarë

Një elektricist 54-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e kaluar në Himarë, teksa ishte në detyrë për rikthimin e energjisë elektrike.
Ngjarja ndodhi në momentin kur Himara dhe Saranda u përballën me një stuhi të fortë, e shoqëruar me erëra të fuqishme që shkaktuan ndërprerje të energjisë, rrëzime pemësh dhe dëmtime automjetesh.
Sipas informacioneve, elektricisti është nga Elbasani dhe ndodhej në Himarë si pjesë e ekipet të OSHEE-së për sezonin turistik.
Në njoftimin e bërë publik nga Policia e Shtetit, mësohet se, rreth orës 03:40, në Qendrën Shëndetësore Himarë është dërguar pa shenja jete shtetasi B. B., 54 vjeç, banues në Elbasan, punonjës sezonal i OSHEE-së.
“54-vjeçari ishte ngjitur në një shtyllë elektrike për të rilidhur një kabëll energjie, kur rripi i sigurisë që e mbante i lidhur për mesi u shkëput. Si pasojë, ai ra nga një lartësi prej rreth 9 metrash dhe humbi jetën në vend.”, raporton gazetarja.
Himarë / Informacion paraprak
Rreth orës 03:40, në Qendrën Shëndetësore Himarë është dërguar pa shenja jete shtetasi B. B., 54 vjeç, banues në Elbasan, punonjës sezonal i OSHEE-së.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se shtetasi B.B, gjatë punës për riparimin e një defekti elektrik në një shtyllë, në zonën e Potamit, Himarë, ka humbur jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.
/rtsh.al/