Po transportonin emigrantë të paligjshëm drejt Shkodrës, në pranga 3 persona

Policia e Shtetit ka finalizuar brenda 24 orëve dy operacione të suksesshme kundër aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit nga emigrantë të vendeve të treta. Operacionet e koduara “Attempt 3” dhe “The Bridge 1” çuan në arrestimin e tre shtetasve dhe ndalimin e 20 emigrantëve që po transportoheshin drejt Shkodrës, me synimin për të kaluar ilegalisht në Mal të Zi.
Operacioni “Attempt 3” – Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Sektorin Operacional, arrestuan në flagrancë shtetasin A. Rr., 28 vjeç, banues në Shkodër. Ai u kap në zonën e quajtur “Kthesa e Andon Poçit”, duke transportuar 10 emigrantë të paligjshëm.
Operacioni “The Bridge 1” – Seksioni për Hetimin e Krimeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë e Kufirit të Gjelbër në Kakavijë, arrestuan në flagrancë shtetasit R. Sh., 45 vjeç dhe F. S., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë. R. Sh. u ndalua në vendin e quajtur “Ura e Glinës”, duke transportuar 10 emigrantë, ndërsa bashkëpunëtori i tij F. S. përdorte një automjet tjetër për të kontrolluar rrugën dhe për të sinjalizuar për prezencën e policisë.
Gjatë operacioneve u sekuestruan:
3 automjete të përdorura për transportimin e emigrantëve;
Celularët e të arrestuarve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme hetimore.
Policia e Shtetit thekson se operacionet kundër trafikimit të paligjshëm të emigrantëve do të vijojnë pa ndërprerje, me qëllim goditjen e këtij fenomeni dhe garantimin e rendit dhe sigurisë.
/vizionplus.tv