Po u fundosej gomonia nga moti i keq, Policia shpëton 5 shtetas në Durrës

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Policia Detare e Durrësit shpëtoi 5 shtetas që rrezikonin të mbyteshin, pasi gomonia e tyre po fundosej për shkak të motit të keq.
Efektivët e trajnuar të Njësisë Policore Detare, me mjete lundruese, u shkuan në ndihmë 5 shtetasve mesditën e sotme.
Gjatë patrullimeve në të gjithë hapësirën detare të qarkut, shërbimet e Njësisë Policore Detare konstatuan, në afërsi të Gjirit të Durrësit, 5 shtetas që kërkonin ndihmë, pasi gomonia e tyre rrezikonte të fundosej për shkak të erërave të forta.
Menjëherë pas konstatimit, efektivët e Njësisë, me mjete lundruese, ndërhynë në kohë dhe bënë të mundur nxjerrjen në breg të qytetarëve, të cilët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore. Njësia Policore Detare fton çdo qytetar apo turist që ndodhet në vështirësi dhe ka nevojë për ndihmë, të kontaktojë menjëherë duke garantuar reagim të shpejtë, profesional dhe të specializuar.