Pogradec/ Fermerët bashkohen në kooperativë, italianët mbështetje më pajisje për bujqësinë

Për ruajtjen e varietetit të rrallë të rrushit “Serina e Bardhë”, një pasuri e zonës që rrezikonte zhdukjen fermerët e Grabovicës janë bashkuar në një kooperativë, duke krijuar mundësi të reja për prodhim dhe zhvillim ekonomik.
“Qëllimi kryesor është identifikimi i produkteve tipike lokale. Në vreshtarinë e zonës ka varietete shqiptare me rrisk të humbjes, si Serina e Bardhë, Gems dhe Muskat Kanellë. Ne si fermerë jemi bashkuar ligjërisht për të investuar në vreshta të rinj dhe për të pasur një mënyrë tjetër taksimi. Aktualisht jemi 7 fermerë dhe synojmë të përfshijmë të gjithë ata që merren me vreshtari”, tha Ersol Caço, Prodhues Vere.
Në ceremoninë e zhvilluar në Grabovicë u dorëzuan edhe makineri moderne bujqësore për inkubatorin e Pogradecit, duke krijuar kushte më të mira pune, rritje të prodhimit dhe mbështetje konkrete për fermerët e zonës.
“Më në fund u kuptua se duke qenë bashkë përfitimet janë më të mëdha. Bashkimi sjell lehtësira, qoftë për taksat, qoftë për aksesin në skema mbështetëse. Kjo është dallëndyshja e parë që do të sjellë edhe kooperativa të tjera në fshatrat e Pogradecit. Edhe farërat, edhe pesticidet merren më lirë dhe më cilësore kur punoni të bashkuar”, u shpreh Ilir Xhakolli, kryetar i Bashkisë së Pogradecit.
Paolo Viviani, përfaqësues i palës italiane, theksoi potencialin e produkteve tradicionale shqiptare në tregun europian.
“Produkti tradicional luan një rol të rëndësishëm në promovimin e aktiviteteve të fermerëve shqiptarë. Ne kemi identifikuar produktet që lidhen ngushtësisht me zonat e tyre dhe ato kanë vend të sigurt në tregun kombëtar. Kur arrijnë vlerë të veçantë ose sasi të mjaftueshme, hapet mundësia e tregut ndërkombëtar. Me ecjen që po bën Shqipëria drejt BE, tregu europian është një mundësi e shkëlqyer për këto produkte”, tha Paolo Viviani, Përfaqësues i Palës Italiane
Nëpërmjet kësaj nisme, fermerët e Pogradecit do të punojnë të bashkuar, do të përfitojnë teknologji, trajnime dhe standarde të reja prodhimi, duke forcuar vlerën e produkteve vendase dhe identitetin e tyre rural.
/vizionplus.tv